Topi: Optimist për zgjidhjen e ngërçit politik
Parlamenti Europian do të mbështesë Shqipërinë për liberalizimin e vizave. Ky ishte mesazhi që dha dje raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë, eurodeputeti Nikolaos Chountis në një takim që zhvilloi me përfaqësuesit të lartë të vendit. Gjatë bisedës që eurodeputeti grek, Chountis, zhvilloi me Kryeministrin Sali Berisha, tha se PE do të mbështesë Shqipërinë edhe në rrugën e saj për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian, por parësore mbetej lëvizja e lirë e shqiptarëve. “Ne dëshirojmë dhe besojmë fuqishëm që qytetarët shqiptarë të gëzojnë sa më parë të drejtën e qarkullimit pa viza në zonën ‘Shengen’, si çdo qytetar tjetër europian”, deklaroi Nikolaos Chountis. Berisha i foli raportuesit për Shqipërinë edhe për punën e madhe që është bërë nga qeveria për plotësimin e kërkesave të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Po kështu, Berisha i bëri të ditur raportuesit se Shqipëria tashmë e ka gati pyetësorin e Komisionit Europian, përmes të cilit pretendon të marrë statusin e vendit kandidat në BE. Po dje, përfaqësuesi i PE-së, Nikolaos Chountis, zhvilloi edhe një takim me kryetarin e Asamblesë Kombëtare të PS, njëkohësisht kryetari i Grupit Parlamentar, Gramoz Ruçi. Sipas zyrës së shtypit të PS-së, gjatë bisedës me europarlamentarin, Ruçi theksoi vullnetin e Partisë Socialiste që Shqipëria të marrë sa më parë lajmin e shumëpritur të liberalizmit të vizave, për t’u bërë pjesë e hapësirës së lirë dhe që qytetarët e saj të mund t’i kalojnë kufijtë Europës pa pengesa. Sipas Ruçit, në këtë proces me rëndësi të veçantë, shqiptarët nuk duhet të penalizohen për shkak të keqqeverisjes. Po kështu, Ruçi dhe europarlamentari grek folën gjatë takimit edhe për krizën politike të vendit. Ruçi theksoi se PS ka ndërmarrë të gjithë hapat konkretë për zgjidhjen e kësaj situate, duke qenë e përfaqësuar në Kuvend dhe duke propozuar nisma ligjore dhe vendimmarrëse. Po dje, përfaqësuesi i PE zhvilloi një takim me Presidentin Bamir Topi. Gjatë takimit, Topi theksoi vullnetin e vendit për vazhdimin e reformave dhe arritjen e standardeve me synim përmbushjen e aspiratës së gjerë popullore për t’u integruar në gjirin e familjes europiane. Në këtë kuadër Presidenti shprehu optimizmin për kapërcimin sa më të shpejtë të ngërçit politik. Nisur nga kjo, Topi theksoi se shpresonte që së shpejti vendi ynë të përfitonte liberalizimin e vizave dhe se do të ecte me shpejtësi në rrugën për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Nga ana e tij, Chountis, pasi vlerësoi rolin moderues dhe objektiv të Presidentit Topi, për rifillimin e dialogut politik dhe zgjidhjen e ngërçit politik në vend, theksoi rëndësinë që ka qëndrueshmëria politike në përmbushjen e kritereve integruese të Shqipërisë. Po kështu, bashkëbiseduesit i vlerësuan si shumë të mira dhe miqësore marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe ndanë mendimin se dialogu politik dhe konstruktiv mes vendeve ballkanike jep garanci për stabilitet dhe zhvillim ekonomik. Raportuesi Chountis zhvilloi dje takime dhe me ministrat Bujar Nishani dhe Fatmir Mediu.
#