Basha: Do japim para për viktimat derisa të punësohen
Viktimat e trafikimit do të mbështeten financiarisht nga buxheti i shtetit, jo vetëm gjatë qëndrimit në qendrat e pritjes, por deri në momentin e punësimit të tyre. Premtimi është dhënë nga ministri Basha në konferencën e djeshme, i cili deklaroi se Shqipëria ka bërë përpjekje të vendosura në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, duke koordinuar aspektin penal të hetimit të trafikimit dhe vënien para drejtësisë së trafikantëve, me aspektin social në drejtim të mbrojtjes, asistimit dhe riintegrimit të viktimave të trafikimit. Ministri Basha evidentoi se me ligjin e ri “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, përveç veprës penale të trafikimit goditen edhe pasuritë likuide dhe asetet ekonomike të trafikantëve. “Përmirësimet në kuadrin ligjor të regjistrimit të popullsisë, duke zëvendësuar penalitetet administrative me masa nxitëse, kanë zvogëluar gjithashtu vulnerabilitetin kryesisht të fëmijëve ndaj trafikimit. Vetëm gjatë vitit 2009 janë regjistruar 7000 fëmijë, 2500 prej të cilëve nga komunitetet më të rriskuara ndaj trafikimit”, tha Basha. Ai përmendi masa dhe mjete të rëndësishme në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe mirëfunksionimin e mekanizmave kombëtarë e vendorë për referimin e viktimave të trafikimit, shtimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit vetëm për luftën kundër trafikimit, bashkëpunimin me prokurorinë dhe bashkëpunimin me strukturat homologe të vendeve fqinje.
#