E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rasti “Medicus”, vendimi pas 15 ditësh

Nga Express më 06 janar 2011 në ora 17:53

Vendimi në lidhje me rastin e klinikës “Medicus” do të merret pas 15 ditësh, kanë bërë të ditur zyrtarë të EULEX-it, pas përfundimit të seancës dëgjimore për konfirmimin e akuzave të ngritura kundër shtatë kosovarëve të dyshuar se janë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të përfshirë në trafikimin e organeve njerëzore.

Të enjten në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë është mbajtur seanca dëgjimore në lidhje me rastin e “Medicus”, e cila është kryesuar nga gjykatësi i Bashkimit Evropian, Victor Paradal.

Në këtë seancë prokurori i BE-së, Jonathan Ratel, ka thënë se “njerëz të varfër ishin sjellë në Kosovë nga vendet e jashtme, me premtime të rrejshme për të marrë pagesa për veshkat e tyre, organe këto të cilat pastaj u janë shitur pranuesve për transplantime të paligjshme”.

Ratel ka thënë se mjeku turk Jusuf Sonmez, i cili ndodhet në arrati, “ka qenë i përfshirë dhe është pjesëmarrësi kyç në operacionet” që janë bërë në një klinikë private në periferi të Prishtinës, e cila mban emrin “Medicus”.

Pas përfundimit të seancës, zëdhënësja e EULEX-it, Kristina Herodes ka bërë të ditur se gjykatësi ka 15 ditë për të vendosur nëse aktakuza mund të konfirmohet për të nisur një proces gjyqësor.

“Sot ka përfunduar seanca dëgjimore për rastin “Medicus”, por gjyqtari ka kohë 15 ditë për të sjellë vendimin”, ka thënë Herodes.

Ajo ka hedhur poshtë mundësinë e ndërlidhjes së rasti “Medicus” me atë të ashtuquajturës “Shtëpi e verdhë”.

“Rasti “Medicus” dhe i të ashtuquajturës “Shtëpi e verdhë” nuk janë të ndërlidhura, sepse hetimet për rastin “Medicus” kanë filluar në nëntor 2008 në Prishtinë”, ka thënë Herodes.

Nga ana e tyre, avokatët mbrojtës të të dyshuarve kanë hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar ato sit ë paargumentuara. Bajram Tmava, avokat, ka thënë se aktakuza nuk është përpiluar ashtu siç duhet, meqë provat e prokurorisë nuk mjaftojnë për të ngritur një aktakuzë të këtillë.

“Çështja e kontrollimit të klinikës “Medicus” nga ana e organeve të policisë dhe gjyqësore, pra provat janë bërë pa prezencën e avokatëve mbrojtës dhe pa urdhër të gjykatësit, kështu që i kemi konsideruar si prova të papranueshme”, ka thënë ai.

Tmava ka thënë se “dikush këtë aktakuzë dëshiron ta ndërlidhë me raportin e Dik Martit.

“Nuk ka asnjë provë, as prova më e vogël, e cila mund të ndërlidhë një veprim të tillë, ashtu siç është e paraparë në raport me këtë aktakuzë”, ka thënë ai.

Ndryshe, seanca e parë e konfirmimit u mbajt më 14 dhjetorin e kaluar, derisa u vendos vazhdimi më 6 janar, për shkak të disa mosmarrëveshjeve ligjore.

Në rastin e klinikës “Medicus” janë shtatë të pandehur, të cilët akuzohen për përfshirjen në një rrjet të trafikimit me njerëz, duke rekrutuar, transportuar dhe shfrytëzuar njerëz për zhvendosjen dhe transportimin e pjesëve të trupit; pastaj për keqpërdorim të detyrës nga zyrtarë të lartë, veprime të paligjshme mjekësore dhe procedura të tjera mjekësore, përfshirë zhvendosjen e organeve njerëzore dhe transportimin e tyre.

Hetimet kanë filluar në vitin 2008 nga Policia e Kosovës dhe ajo e UNMIK-ut. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›