E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadic dërgon Gjeliqin në Kosovë

Boris Tadic nuk do t’i vizitojë enklavat serbe me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse. Në vend të tij në Kosovë do të qëndrojë Zëvendëskryeministri Bozhidar Gjeliq. Nga Express më 06 janar 2011 në ora 17:43

Presidenti i Serbisë, Boris Tadic nuk do t’i vizitojë enklavat serbe me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse, siç bënte vitet e kaluara.

Në vend të tij në Kosovë do të qëndrojë Zëvendëskryeministri i Serbisë, Bozhidar Gjeliq.

Ai do ta vizitojë Kosovën të enjten dhe të premten, ku do ta vizitojë Mitrovicën, Prizrenin dhe Manastirin e Deçanit.

“Kjo është një mundësi që qytetarëve tanë të besimit ortodoks dhe qytetarëve tjerë tu dëshirojmë paqe dhe lumturi”, ka thënë Gjeliq, duke shtuar se ai do të qëndrojë së pari në Mitrovicë, ndërsa më pastaj në Deçan sikurse edhe në Prizren ku do të jetë i pranishëm edhe i porsa-shuguruari, Peshkopi i Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije.

“Është me rëndësi të mos i harrojmë ata që jetojnë në Kosovë e Metohi, të cilët kanë nevojë për mbështetjen dhe solidaritetin tonë, pasi që në vitin 2010 ka pasur momente pozitive, por edhe negative në luftën për Kosovën e Metohinë”, ka thënë Gjeliq, duke shtuar se kjo betejë vazhdon.

Ai përsëriti edhe refrenin e famshëm se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe se për këtë do të luftojnë me të gjitha mjetet ligjore, paqësore dhe efektive.

Gjeliq në Mitrovicë do të arrijë të enjten rreth orës 16:00, ndërkaq të premten do të qëndrojë në Prizren, ku do të merr pjesë në Meshën e Shenjtë të Krishtlindjeve, ndërsa më vonë do të drekojë me qytetarët e Prizrenit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›