Raul, lamtumirë në lot: “Reali, shtëpia ime”
“Reali i Madridit për mua është një shtëpi dhe sot nis një mision i vështirë për të qenë kaq i lumtur siç kamë qenë këtu”. Ish-sulmuesi i Realit të Madridit, Raul Gonzales Blankou lëshoi këtë mesazh tifozëve dhe drejtuesve të klubi të bardhë përpara nisjes drejt Shalke 04 në Gjermani.
LAMTUMIRA – Në një ditë të përcaktuar prej ti si “të vështirë dhe të trishtuar”, ish-kapiteni i Realit dëshiroi të përshëndeste “të gjithë presidentët, shokët, trajnerët, rivalët dhe shtypin” përpara se të kujtonte “njerëzit e mi, dhe milionat e tifozëve e Realit të Madridit” të cilët e kanë mbështetur në këto vite dhe e kanë të ndihet si në shtëpi, para së gjithash në “Santiago Bernabeu”. “Do të jem në dispozicion për gjithçka dhe për çfarëdo gjë”, - deklaroi lojtari që largohet me rekordin e paraqitjeve (741 ndeshje) dhe golave të shënuar (323) me bluzën e bardhë. Pasi lexoi letrën e tij të lamtumirës, sulmuesi zbriti në fushë dhe shpërtheu në lot, ku disa qindra tifozë e prisnin duke kënduar emrin e tij. Rauli firmosi bluza të ndryshme dhe libra përpara se t’u lëshonte tifozëve puthje dhe falënderime emocionuese.
MURINJO – “Besoj se Murinjo do të jetë një trajner të madh dhe se blerja e tij është shumë e vlefshme”, - tha Raul. “Shtata” siguroi se mbërritja e tij e bëri më të vështirë largimin e tij, pasi Mou e “ka pëlqyer gjithmonë” dhe shokët, të cilët e kanë pasur si trajner, “kanë thënë gjëra të mrekullueshme” për të. Nga ana tjetër, shtoi Raul, “unë kisha dëshirë të stërvitesha me të, por edhe Mou ka deklaruar se dëshironte të më stërviste dhe të më shihte, por rrethanat nuk më lejuan”. Për sulmuesin vendimi për t’u larguar “nuk varej nga fakti se do të ishte ndonjë trajner tjetër apo Murinjo, apo se Murinjo më donte më pak”, por ishte marrë në “familje”, pasi kishte parë se vitin e kaluar nuk kishte luajtur shumë.
GUARDIOLA – Në lidhje me pyetjen se cilin rival kujtonte më mirë, Raul u përgjigj për Guardiolën. “Në fushë ishte trajner, u jepte të gjithë urdhra, pastaj në Kombëtare bëmë shumë miqësore dhe ishte ai që më dha pasin e parë golin tim me përfaqësuesen”, kujtoi sulmuesi, i cili largohet pas 16 vitesh nga Reali i Madridit.
I martuar me vajzën e ish-presidentit
FAMILJA – Rauli është martuar në vitin 1999 me Mamen Sanz (sot, 34 vjeçe). “Ajo më jep shumë fuqi dhe pas humbjeve”. Ish-modelja është vajza e ish-presidentit të Realit, Lorenco Sanz. Raul e njohu atë në klubin luksoz “Barnon”. Çifti ka katër djem dhe një vajzë: Horge (10 vjeç) dhe Hugo (7), më pas lindën binjakët Hektor dhe Mateo (4 vjeç) dhe Maria (8 muajsh).
Audi A8 me xhama të errët
Sulmuesi i ri i Shalke 04 drejton një Audi A8. Ashtu si politikanët dhe ushtarakët e nivelit të lartë ylli i futbollit ka një makinë me xhama komplet të errët. Në Gjermani kjo është e ndaluar.
Barça: “Ibra në shitje, por me çmimin e duhur”
Burime jo zyrtare nga brenda klubit të Barcelonës ka deklaruar se klubi katalanas do të shesë sulmuesin suedez Zlatan Ibrahimoviç vetëm në rast se për të ofrohet një çmim i drejtë duke ju referuar ofertave që kanë bërë deri tani Mançester Junaitid dhe Milan. Ibrahimoviç nga ana e tij e ka përjashtuar një transferim të mundshëm tek Mançester Siti por nuk mund ti thotë jo një oferte nga ana e kuqezinjve. Sipas italianes “Corriere dello Sport” tekniku Mançini e ka kthyer serish vëmendjen nga skuadra e Barcelonës pasi arriti të marrë nga kjo skuadër mesfushorin Yaya Toure këtë verë. Megjithatë me marrjen e Balotelit nga Inter klubi anglez mund ta ulë disi interesimin e saj për sulmuesin suedez. Nëse Siti vazhdon interesin e saj për Ibrahimoviç do ta bëj një gjë të tillë por jo duke ofruar shuma të mëdha ndërkohë që Milan mund të përdorë brazilianin Tiago Silva në këtë marrëveshje për të arritur tek Ibrahimoviç pasi tekniku i ri i Milanit, Alegri beson se Ronaldinjo mund të shpalosë të gjithë potencialin e tij nëse do të ketë përkrah një numër 9 të madh ashtu siç është Ibrahimoviç. Këto lëvizje do të ishin edhe një alarm për rivalët e Realit të Madridit që kohët e fundit kishin treguar interes për sulmuesin suedez.
27 Korrik 2010