Raundi i dytë për Presidentin, mblidhet konferenca e kryetarëve

Raundi i parë i votimit është konsumuar pa u votuar, ndërsa bazuar në ligj ky raund quhet i vlefshëm.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka ftuar menjëherë konferencën e Kryetarëve për të vendosur datën për zhvillimin e raundit të dytë për votimin e Presidentit të Republikës.
Ndërkohë seanca plenare e sotme është ndjekur me interes edhe nga ambasadorët e akredituar në Tiranë. Ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu dhe ambasadori i Bashkimit Europian Ettore Sequi si dhe ambasadorë të tjerë kanë qënë të pranishëm në sallë ku kanë ndjekur nga afër raundin e parë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Mazhoranca ka propozuar si kandidat të saj për president të vendit anëtarin e gjykatës kushtetutese Xhezair Zaganjori i cili u përzgjodh mes disa propozimeve të figurave po nga drejtësia apo nga fusha e diplomacisë. Emri i Zaganjorit pritet të hidhet në votimin e raundit të dytë të votimit që pritet të miratohet sot nga Konferenca e kryetarëve.
Kush është Xhezair Zaganori
Prof.As.Dr. Xhezair Zaganjori lindi më 9 mars të vitit 1957 në Shkodër, Shqipëri. U diplomua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1981. Që nga kjo kohë ai ka qenë lektor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike, i të Drejtës Evropiane dhe i të Drejtave të Njeriut në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në Shkollën e Magjistraturës dhe në Shkollën e Studimeve Evropiane, Tiranë. Gjatë viteve 1992-1997 ka qenë Ambasador i Republikës së Shqipërisë në RF të Gjermanisë.
Në vitin 1993 merr gradën shkencore “Doktor i Shkencave Juridike” dhe në vitin 2002 “Profesor i asociuar”. Ka qenë bashkëpunëtor shkencor pranë Institutit Max-Planck, Heidelberg. Në vitin 1991 është zgjedhur anëtar i Gjykatës së Pajtimit dhe Arbitrazhit pranë OSBE-së me seli në Vjenë. Është autor i një sërë botimesh shkencorë brenda dhe jashtë vendit.
Është pjesëmarrës aktiv në Kongrese e Konferenca të ndryshme ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit. Që nga viti 2003 ushtron funksionin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.