Raundi i parë për presidentin, Ruçi: Po përsëritet situata e 2007-ës

Raundi i parë për votimin e presidentit të ri do të konsumohet pa asnjë kandidat. Kjo pasi në takimin e sotëm dy krerët e grupeve parlamentare Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi nuk arritën konsensus për kandidaturën e paraqitur nga mazhoranca, anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori.
Seanca plenare e sotme po ndiqet me interes edhe nga ambasadorët e akredituar në Tiranë. Ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu dhe ambasadori i Bashkimit Europian Ettore Sequi si dhe ambasadorë të tjerë ndodhen në sallë ku po ndjekin nga afër raundin e parë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi ka deklaruar se po përsëritet i njëjti skenar siç është bërë para 5 viteve për zgjedhjen e presidentit të ri. “Partnerët ndërkombëtar dhe publiku nuk prisnin këtë seancë që ne të flisnin për procedurë por një maturi dhe një rezultat konkret ku klasa politike shqiptare më së fundi të jepte një sinjal pjekurie dhe maturie. Por për fat të keq edhe sot nuk ndodhi. Po të kthehemi 5 vjet para kur kemi zgjedhur presidentin do të shohim se jemi përsëri në të njëjtën situatë. A ka ndonjë ndryshim para 5 vjetësh? Mendoj se nuk ka asnjë ndryshim. E njëjta politikë, një seancë formale pa kandidat ku aktorët politikë mbajnë fjalime dhe do të bëjmë të njëta përgjërime, ku flasim për negociata ku s`ka rezultate” theksoi Ruçi.
Kreu i grupit socialist gjithashtu akuzoi maxhorancën se ka përjashtuar opozitën në negociatat për emrin e presidentit të ri. “Opozita përjashtohet nga ata që duhet të dialogonin me të. Zoti kryeministër në demokraci kundërshtarin nuk e zgjedh dot, jemi të dënuar të punojmë bashkë. Dialogu nuk bëhet midis vetes, me kundërshtarët i cili ka munguar deri sot. Negociata nuk bëhen me partnerët , bëhen me kundërshtarin, siç nuk i keni bërë ju. Proces nuk bëhet midis vetes, bëhet me kundërshtarin, ju se keni bërë. Konsensusin e kërkon Kushtetuta, nuk kërkohet mes vetes, ju se keni bërë. Ja pse ne i jemi përgjigjur ftesës suaj.” shtoi Ruçi.
Ruçi tha se ashtu siç kemi plot gjëra që na ndajnë kemi edhe plot të tilla që na bashkojnë. “Para kemi 100 vjetorin, ai nuk është as yni, as juaji, dhe ne duhet të dimë se çfarë dhurate duhet tu çojmë shqiptarëve, dhe kryedhurata e parë është plotësimi i rekomandimeve.”- tha ai.