Sëmundjet kronike, 95% e medikamenteve, në listën e rimbursimit
Gjatë këtij viti do të rimbursohen 95% e barnave të sëmundjeve kronike. Drejtorja e ISKSH-së, Elvana Hana, ka bërë dje të ditur, gjatë konferencës kombëtare të shërbimit farmaceutik se është rritur numri i diagnozave të mbuluara me trajtim mjekësor të rimbursuar dhe kryesisht sëmundjeve kronike. Në listën e sivjetshme janë përfshirë kryesisht barnat që trajtojnë sëmundjet e leucemisë kronike, trajtimi për mosplakjen e organeve të transplantuara si dhe trajtimi i infeksioneve post-transplantive.
Lista
Rritja e mbulimit të diagnozave me trajtim mjekësor të rimbursuara sipas ISKSH-së është shoqëruar edhe me rritjen e vlerës së shpenzimeve. Nga viti në vit, ky institucion, pas konsultimeve me grupet e interesit ka rritur gamën e mbulimit të sëmundshmërisë dhe ka shtuar fondin e medikamenteve. Sipas Hanës, gjatë 4 viteve të fundit lista e barnave është pasuruar me 50 barna dhe formë-doza të reja si edhe me 27 principe të reja aktive (nga 233 që janë në total), gjithashtu është shtuar me 172 alternativa tregtare, duke arritur në total numrin prej 405 barnash (alternativa të para) dhe 944 alternativa tregtare. Në të njëjtën kohë Hana tha: “Është rritur vlera e shpenzimeve të rimbursimit për kategori të caktuara të popullatës në nevojë. Këtu mund të përmendim vlerën e recetës për trajtimin mujor të një pacienti me leucemi kronike, e cila shkon në rreth 3.2 milionë lekë. Ndërsa shpenzimet e rimbursimit të barnave në total, nga viti në vit kanë ardhur duke u rritur si rezultat i ndjeshmërisë dhe shtrirjes së skemës së sigurimeve shëndetësore, nga 4,1 miliardë lekë në vitin 2005 ka arritur në 4,7 miliardë lekë për vitin 2009”.
Barnat
Për shërbimin farmaceutik Hana vlerësoi zhvillimin mjaft të mirë të këtij sektori ku elementët e tregut funksionojnë në të vërtetë. “Sistemi i kontraktimit me farmacitë, grosistët dhe depot sekondare, sistemi i vendosjes se çmimit të barnave mbi bazën e konkurrencës, midis firmave farmaceutike dhe përfshirja në listën e rimbursimit të alternativave tregtare mbi bazën e referencës së çmimeve të barnave, janë arritje të rëndësishme, të cilat kanë dhënë efektet e tyre në miradministrimin e fondeve, por ajo që është më e rëndësishmja, edhe në shërbimin ndaj popullatës”, - tha Hana.
Ndërkohë që sipas vlerësimeve të specialistëve, një nga sfidat më të mëdha mbetet zbatimi i parimit të kosto-efektivitetit të barnave, ku kërkohet përsosja e mekanizmave për futjen e barnave në listë dhe sistemin e çmimeve referencë si dhe vendosjen e marsheve të diferencuara duke u bazuar në çmimin e barit si për barnat e listës ashtu dhe për barnat spitalore. Ndërsa për sa i përket miradministrimit të fondeve drejtorja e ISKSH-së, Elvana Hana, përfundoi se një sfidë e rëndësishme është vendosja e një procesi të negocimit të çmimeve, vendosja e pullës dyfishe dhe realizimi më efikas i kontrolleve për të garantuar cilësinë e barnave.