Reagimi i LSI-së: Raporti konfirmon dështimin dhe korrupsionin e qeverisë
LSI-ja ka reaguar pas publikimit të raportit vjetor të organizatës ndërkombëtare “Amnesty International”. Zëdhënësi i LSI-së, Ralf Gjoni, tha se ky raport konfirmon dështimin e plotë të qeverisë “Berisha”. “Dështimi tjetër i kësaj qeverie, sipas këtij raporti, është shtimi i korrupsionit në zyrat dhe në administratën shtetërore. Gjithashtu edhe besimi në prokurori si dhe në gjykatë ka njohur një rënie të ndjeshme. Korrupsioni që ka marrë peng vendin duket qartë edhe nga mungesa e zbardhjes së çështjes së Gërdecit, guri i zi i kësaj qeverie, e cila refuzon të çojë fajtorët e vërtetë në bankën e akuzës. Është e qartë sot se qeveria “Berisha” administron një shtet të paaftë që nuk gjendet pranë qytetarit në orën e tij të nevojës. Duhet të jetë e qartë sot se mesazhi nga Londra nuk lë vend për keqkuptime – Shqipëria e Berishës nuk është e aftë të përmbushë standardet e nevojshme për ta integruar vendin në Bashkimin Europian dhe se më 28 qershor, të gjithë shqiptarët dhe në veçanti rinia e këtij vendi duhet ta nxjerrë në pension Berishën me votën e tyre, për të siguruar një të ardhme më të mirë për jetën e tyre. LSI-ja u bën thirrje të gjithë shqiptarëve që më 28 qershor të votojnë programin e saj për punësim, si të vetmen alternativë reale për ta çuar Shqipërinë sa më afër Europës”, - tha Gjoni.
29 Maj 2009