E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagimi i policisë Protestuesve te Kryeministria, iu bllokuam materiale të ndaluara”

Autori i Lajmit: Redaksia
Policia ka mbrojtur ndërhyrjen e saj në protestën e opozitës, duke i marrë me forcë qeset plastike, që punonjësit vendorë mbanin në duar. Përmes një deklarate për shtyp, Drejtoria e Policisë së Tiranës sqaroi se, disa nga pjesëmarrësit në protestë kanë tentuar të mbajnë qese jo transparente në të cilat kishte materiale të ndaluara. “Sot më datë 05.12.2009, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë godinës së Kryeminstrisë u zhvillua protesta e kërkuar nga Bashkia e Tiranës. Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, sqaron opinion publik se strukturat e Policisë së Shtetit, kanë zbatuar me rigorozitet të gjitha dispozitat ligjore të parashikuara në ligjin Nr.8773 datë 23.04.2001 “Për Tubimet si dhe në të gjithë praktikën e këtij tubimi, ka zbatuar kërkesat e parashtruara nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, në njoftimin Nr.10316 datë 02.12.2009, e dërguar për këtë qëllim. “Përpara dhe gjatë zhvillimit të tubimit, ka pasur përpjekje që në vendin e tubimit të futen qese jo transparente dhe sende të tjera të ndaluara. Me qëllim, sigurimin e zhvillimin normal të këtij tubimi Policia, ka penguar që në vendin e tubimit të futen qese jo transparente, në të cilat mund kishte sende që mund të shkaktojnë dëm për jetën dhe shëndetin e të tjerëve”, thuhet në deklaratë. Më tej policia shton se, këto veprime të policisë mbështeten në paragrafin e dytë të nenin 18 të ligjit për “Për Tubimet”, në të cilin përcaktohet: “Organizatori, drejtuesit, personat ndihmës dhe pjesëmarrësit në një tubim, ndalohen të mbajnë mjete ose instrumente të cilat gjatë përdorimit të tyre, mund të shkaktojnë dëm, për jetën e shëndetin e të tjerëve. Përjashtohen nga ky detyrim flamujt dhe pankartat”. Një pjesë e këtyre qeseve jo transparente, të cilat u bllokuan nga policia po u nënshtrohen kontrolleve të specializuara, për të përcaktuar nëse përmbajnë sende të rrezikshme për jetën dhe shëndetit e të tjerëve.

Ky lajm është publikuar: 06/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›