Raporti: Nis shterimi i remitancave, emigrantët nuk po sjellin më para
Ervin KOÇI
Paratë e sjella nga emigrantët në Shqipëri kanë nisur të shterojnë. Këtë lajm aspak të këndshëm për shqiptarët e japin statistikat më të fundit të një raporti të bërë nga Banka e Shqipërisë. Kjo e fundit ka ndjekur me kujdes situatën në tre vitet e fundit duke konstatuar çdo vit e më tepër pakësimin e këtij “serumi” që deri tani ka mbajtur gjallë ekonominë shqiptare që duket në agoni. Në jo pak raste kreu i BSH-së, Guvernatori Ardian Fullani, u ka bërë thirrje me deklarata publike, si qeverisë ashtu dhe familjeve shqiptare, që të ndryshonin strategjinë e zhvillimit ekonomik dhe të mos prisnin në pafundësi prurjet e parave nga emigrantët. Sipas raportit të BSH-së, dërgesat e emigrantëve të njohura më termin ekonomik si “remitanca”, u pakësuan ndjeshëm në tremujorin e parë të këtij viti, duke shënuar vitin e tretë radhazi në rënie. Sipas bilancit të hyrje-daljeve valutore të vendit, që u publikua nga BSH-ja, “emigrantët sollën në atdhe 170 milionë euro gjatë periudhës janar-mars 2010, nga 183 milionë euro që kishin sjellë në të njëjtën periudhë të vitit 2009”. Tremujori i parë i këtij viti ishte më i keqi i regjistruar në këtë drejtim që nga viti 2005.
Arsyet
Shkaku kryesor i rënies së remitancave besohet se është ashpërsimi i krizës ekonomike në Greqi. Të dhëna indirekte tregojnë se gjithnjë e më shumë emigrantë po kthehen përgjithmonë nga fqinji ynë jugor, pasi nuk arrijnë më të gjejnë punë. Në këtë vend kanë emigruar kryesisht shtetas shqiptar që përbënin forca pune të pakualifikuara, sidomos nga zonat rurale, të cilët bënin më tepër punë të rënda krahu. Por kjo kategori ishte më pranë nivelit të varfërisë në vend dhe e shtyrë nga kjo, emigronte kryesisht në Greqi për të siguruar të ardhura për jetesën e familjeve të tyre në Shqipëri. Vitin e kaluar, emigrantët sollën në atdhe 781 milionë euro ose 52 milionë euro më pak se në vitin 2008. Megjithëse me rënie prej 6.7 përqindësh, remitancat vlerësohen nga ekspertët si shumë të qëndrueshme, për shkak se rënia ishte më e paktë nga ajo që pritej. BSH-ja thotë se të ardhurat nga emigrantët varen veçanërisht nga situata e punësimit në Greqi, Itali dhe vende të tjera europiane.
Kriza greke
Një sondazh i kryer në dhjetor, nëpër pikat e kalimit kufitar mes dy vendeve, zbuloi se një pjesë e konsiderueshme e emigrantëve nuk po ktheheshin thjesht për pushime në shtëpi, por po ktheheshin përgjithmonë, për shkak të vështirësisë së krijuar në gjetjen e punës në shtetin grek. Kthimi i emigrantëve së bashku me kursimet e tyre, u pasqyrua në statistikat zyrtare, të cilat raportuan se në tremujorin e fundit 2009, në vend hynë 227 milionë euro, pra edhe më shumë nga sa kishin hyrë në tremujorin e fundit 2008. Kjo u shoqërua edhe me rritje të shpejtë të depozitave nëpër bankat shqiptare. Por duke filluar nga janari, remitancat u kthyen te tendenca negative dhe e ardhmja mbetet e pasigurt. Greqia u duk se po e kalonte pa shumë probleme krizën e vitit 2009. Zgjedhjet parlamentare të zhvilluara vitin e kaluar shtynë qeverinë paraardhëse të mbante të larta shpenzimet publike pa marrë parasysh rritjen e deficitit. Por situata ndryshoi pas tetorit, kur tejkalimet e shpenzimeve u bënë të qarta për të gjithë dhe filloi kriza e borxhit publik. Në këtë pikë, papunësia u rrit me shpejtësi, gjë që rëndoi mbi të ardhurat e emigrantëve.
Remitancat
Paratë e sjella nga emigrantët janë konsideruar si ilaçi që ka pakësuar ndjeshëm varfërinë në Shqipëri. Vëzhgime të ndryshme kanë dalë në përfundimin se emigrimi është mënyra kryesore e krijimit të të ardhurave në para për zonat e thella në të gjithë vendin. Remitancat kanë shërbyer edhe si mënyrë për krijimin e kapitaleve, veçanërisht për faktin se një pjesë e emigrantëve zgjedhin bankat në Shqipëri për të mbajtur kursimet e veta. Vlerësohet se çdo euro e sjellë nga emigrantët fuqizon ekonominë me 2-3 euro prodhim. Paratë që familjet shqiptare i marrin nga fëmijët e tyre jashtë, i përdorin për të paguar mallra konsumi të prodhuara në vend apo të importuara, duke shumëfishuar biznesin. Një pjesë e remitancave vendosen nëpër banka si depozita për shkak se bankat në Shqipëri ofrojnë interesa disa herë më të larta se sa bankat në vendet fqinje. Në këtë mënyrë, remitancat kanë ndihmuar jo vetëm shtimin e konsumit, por edhe shtimin e investimeve.
12 Qershor 2010