Reagojnë Pollo dhe Paloka: Opozita është e përfshirë në skandale

Deputeti i PD-së, Edi Paloka, tha të hënën në Kuvend se "opozita është e përfshirë në skandale korrupsioni". Në përgjigje të akuzave të opozitës së majtë për "veprime të paligjshme të qeverisë në raportet me biznesmenin serbo-boshnjak Damir Fazlliç", deputeti Paloka tha se "opozita është e përfshirë në skandale, duke filluar nga ngjarja e 9 janarit e deri tek tenderat korruptivë të ish-ministrave socialistë. Raportet e ndërkombëtarëve kanë shprehur kritika të vazhdueshme për qeverisjen socialiste, e cila u dënua nga vota e popullit", tha ai. Duke iu referuar shqetësimeve të PS-së lidhur me sigurinë kombëtare, ai tha se "Shqipëria tashmë ka marrë ftesën për në NATO dhe është Aleanca që e siguron këtë".
Pollo: Opoziat nuk na vlerëson dot, nuk e lë vesi
Zëvendëskryeministri Genc Pollo deklaroi të hënën në mbrëmje në Kuvend se "qeveria ka plotësuar angazhimet e programit të saj, por opozita nuk i pranon ato. Opozita nuk i pranon arritjet tona, sepse ajo dështoi gjatë qeverisjes së saj", tha zv/kryeministri Pollo gjatë seancës së sotme plenare. Duke renditur sukseset e maxhorancës në përmbushjen e objektivave ekonomikë e socialë, në kuadër të reformave integruese, ai përmendi investimet në infrastrukturë, realizimin e projektit të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike, reformat në arsim etj. Duke u ndalur në fushën e arsimit, z. Pollo vuri në dukje se "rritja e investimeve në arsim, ndërtimi i objekteve të reja arsimore dhe nxjerrja nga skema e korrupsionit e provimeve të shkollës së lartë, dëshmojnë vullnetin e maxhorancës për ndryshim dhe reforma".
Deklaratat e deputetëve të opozitës
Leskaj
Opozita prezantoi të hënën në mbrëmje kërkesën për debat me Kryeministrin Sali Berisha për të sqaruar lidhjet e tij me biznesmenin serbo-boshnjak Damir Fazlliç.
Kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, u shpreh se "ne kërkojmë mocion debat me Kryeministrin për çështje që kanë të bëjnë me lidhjet e dyshimta të qeverisë me një përfaqësues të botës së interesave të paligjshme". Sipas z. Leskaj, Kryeministri, si njeri me imunitet politik, duhet të bëjë transparente marrëdhëniet e tij me shtetasin serbo-boshnjak Damir Fazlliç.
Braçe
Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, deklaroi mbrëmjen e së hënës në Kuvend, se "qeveria ka ndërtuar marrëdhënie të paligjshme me biznesmenin serbo-boshnjak Damir Fazlliç". Gjatë mocionit-debat për çështjen 'Fazlliç', të kërkuar nga opozita e majtë, deputeti Braçe tha se "Kryeministri Sali Berisha ka përgjegjësi për bizneset e paligjshme të Fazlliç. Kolegjialiteti ligjor i qeverisë është zëvendësuar nga funksionimi korruptiv i shtetit".
Ruçi
Deputeti i PS-së, Gramoz Ruçi gjatë mocionit-debat me Kryeministrin Sali Berisha, kërkoi miratimin nga Kuvendi të një rezolutë në mbështetje të punës së organit të akuzës. "Qeveria mbështet grupime me interesa të dyshimta në Ballkan dhe po pengon drejtësinë të hetojë mbi to", tha deputeti socialist gjatë fjalës së tij, duke propozuar që seanca e sotme të përfundojë "me një rezolutë të Kuvendit, ku të mbështetet Prokuroria dhe të dënohet krimi".
...