E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Punës e angazhuar për të realizuar të drejtën sindikale

“Organizatat sindikale janë parterët tanë, por edhe opozita më e mirë për çdo Qeveri, për politikat që ajo harton dhe zbaton në fushën e marrëdhënieve të punës, politikave sociale, të pagave dhe pensioneve, etj. Ndaj është detyrë e çdo Qeverie që të rrisë bashkëpunimin dhe partneritetin me këto grupime, për t’i bërë ato pjesë të një politikbërjeje më eficente”. Kjo ka qenë deklarata që ka bërë Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabrata Anastas Duro në një takim me kryetarin e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, zotin Kol Nikolla. Në këtë takim të zhvilluar në ambientet e Ministrisë së Punës u diskutua rreth nivelit të bashkëpunimit dhe partneritetit mes Qeverisë dhe përfaqësisë sindikale në vend. Më tej Ministri Duro, u shpreh i hapur për të bashkëpunuar dhe për të dialoguar me partnerët për zgjidhjen e problemeve që shqetësojnë sot punonjësit dhe përfaqësuesit e tyre. Sipas tij, Ministria e Punës, si institucioni kryesor që përfaqëson Qeverinë në bashkëpunimin me partnerët, i njeh dhe do të bëj përpjekjet maksimale për t’i zbatuar të gjitha detyrimet që i ngarkon ligji, veçanërisht Kodi i Punës, në zhvillimin e këtyre marrëdhënieve. Duro premtoi se interesimi i tij në postin e Ministrit të Punës për të realizuar të drejtën sindikale në Shqipëri do të jetë maksimal. “Vullneti ynë është që bashkëpunimi dhe partneriteti si me sindikatat ashtu edhe me përfaqësuesit e punëdhënësve të përmirësohet dhe të kalojë në stad të ri”, ka mbaruar fjalën e tij Ministri i Punës.
Ndërsa në fjalën e tij kryesindikalisti Nikolla vlerësoi bashkëpunimin me Ministrinë e Punës dhe strukturat e saj në vazhdimësi, duke u shprehur i sigurt se edhe në të ardhmen ky bashkëpunim do të njohë nivele të reja. Pasi bëri një prezantim të aktivitetit të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, organizimit dhe funksionimit të saj, Nikolla e informoi Ministrin se tashmë Konfederata ka hyrë në një proces reformimi strukturor, i cili synon të pasqyrojë ndryshimet social-ekonomike të ndodhura në këto vite në vend dhe, veçanërisht, në marrëdhëniet e punës. “Ne jemi të bindur se ky reformim do të ndikojë pozitivisht në rritjen e bashkëpunimit dhe të partneritetit tripalësh”, ka thënë në fjalën e tij kryesindikalisti Nikolla.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›