E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu: Ecja e suksesshme e Shqipërisë drejt integrimit euroatlantik, model i rëndësishëm për shtetin e Kosovës

Kryeministri Berisha mirëpriti sot në një takim, Presidentin e Kosovës, zotin Fatmir Sejdiu. Duke i uruar mirëseardhjen, kryeministri Berisha e cilësoi historike ditën e vizitës së Presidentit të Kosovës së pavarur, në Shqipëri.
Duke vlerësuar rolin gjithnjë në rritje që Kosova po luan në rajon, si një faktor paqeje dhe stabiliteti, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për zhvillimet pozitive në Kosovë, si dhe për njohjen e shtetit të Kosovës nga vendet fqinje, Maqedonia dhe Mali i Zi dhe nga vendet e tjera, Portugalia, Emiratet e Bashkuara Arabe e Malajzia.
Kryeministri Berisha e siguroi Presidentin Sejdiu se qeveria shqiptare do të bëjë çdo përpjekje për intensifikimin e gjithanshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në fushën ekonomike. Kryeministri shpreh bindjen se ky bashkëpunim do të ketë një perspektivë shumë të mirë në interes jo vetëm të të dy vendeve, por të gjithë rajonit.
Nga ana e tij, Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu shprehu konsideratën më të lartë për mbështetjen e fuqishme që kryeministri Berisha dhe qeveria shqiptare i kanë dhënë zhvillimeve në Kosovë, duke theksuar se Kosova do të jetë përjetësisht mirënjohëse për këtë mbështetje.
Presidenti Sejdiu vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria në rrugën drejt integrimit euroatlantik, duke i cilësuar këto përparime si një përvojë e rëndësishme për shtetin e Kosovës dhe si një model i rëndësishëm për tu ndjekur.

Fjala e kryeministri Berisha në përfundim të takimit
Është historike dita e vizitës së Presidentit të Kosovës së pavarur në Shqipëri, në krye të një delegacioni shumë përfaqësues.
Gjatë këtij takimi diskutuam në një frymë vëllazërore mbi të gjitha zhvillimet në të dy vendet. Shpreha kënaqësinë time më të madhe për tempin shumë pozitiv që kanë ngjarjet në Kosovë, roli i së cilës po vjen gjithnjë në rritje në paqen dhe në stabilitetin në rajon. Në mënyrë të vecantë shpreha kënaqësinë e madhe për njohjen e fundit të shtetit të Kosovës, nga dy fqinjët tanë, Maqedonia dhe Mali i Zi, të cilët kanë kontribut të pamohueshëm në pavarësinë e Kosovës, por edhe për njohje të tjera nga Portugalia, Emiratet e bashkuara Arabe, Malajzia. Të gjitha këto dëshmojnë se ky është një proces i pandalshëm dhe shoqëruar me zhvillimet tjera shumë të rëndësishme. Mendoj se shqiptarët kanë shumë arsye që të jenë shumë të kënaqur. Zhvillime shumë të rëndësishme janë po ashtu ftesa e Shqipërisë për në NATO dhe ecja e procesit , si dhe zhvillime të tjera.
Unë e sigurova Presidentin se qeveria shqiptare është e vendosur të bëjë çdo përpjekje për intensifikimin e gjithanshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve, me theks të veçantë në fushën ekonomike. Shqipëria po punon në projektet infrastrukturore të lidhjeve, të rrugës Morinë-Durrës, po përfundon projekti i shpejtë i rrugës Fierzë- Koman, rruga e Arbrit dhe do të shqyrtohen të gjitha lidhjet e mundshme përfshi hekurudhën dhe lidhje të tjera, të cilat do të jenë të përshtatshme për të dy vendet.
Edhe njëherë i uroj presidentit Fatmir Sejdiu mirëseardhjen më të përzemërt dhe e siguroj se në bashkëpunimin e ngushtë dhe të gjithanshëm midis dy vendeve unë shoh një perspektivë shumë të madhe në interesin më të mirë të tyre, por edhe të rajonit.

Fjala e Presidenti t të Kosovës Fatmir Sejdiu në përfundim të takimit
Ju faleminderit. Më lejoni edhe njëherë të shpreh konsideratat më të larta për angazhimin, për mbështetjen e fuqishme që ju dhe qeveria shqiptare i ka dhënë disa zhvillimeve në Kosovë, prandaj i quaj me gjithë zemër, pjesë e zhvillimeve historike të Kosovës. Kosova do të jetë përjetë mirënjohëse për këtë mbështetje.
Është me rëndësi të veçantë fakti që kemi hyrë në një rrafsh të ri të zhvillimeve pas pavarësisë së Kosovës, në atë që e quajmë pjesë e ecjes, me sfida normale që i ka çdo shtet në lindjen e vet, por që gjithashtu ka mundësinë që këtë rrugë drejt zhvillimit ta nisë me një mbështetje të fuqishme që Republika e Shqipërisë dhe aleatët e përbashkët për të lëvizur shpejt në një objektiv që ne kemi, për një jetë më të mirë të qytetarëve, për të plotësuar ambicien tonë për të qenë partnerë të rëndësishëm të bashkëpunimit rajonal dhe për të lëvizur shpejt në proceset e integrimeve euroatlantike.
Ftesa që i është bërë Republikës së Shqipërisë, për të qenë anëtare e NATO-s është vetëm një dëshmi e përkushtimit që Shqipëria ka bërë në përmbushjen e kritereve të kërkuara dhe gjithashtu një garanci e rëndësishme se jeni në rrugën e duhur, që të shpejtoni edhe në fusha të tjera që lidhen me reformat ekonomike dhe proceset e tjera të rëndësishme, për të qenë anëtare e BE-së.
Të gjitha këto zhvillime për Kosovën janë pjesë e një përvoje të rëndësishme, janë model që edhe ne të shpejtojmë në këto procese. Në të njëjtën kohë ju falënderoj për ndihmën e madhe që keni dhënë me gjithë strukturën dhe rrjetin diplomatik dhe njohjen e republikës së Kosovës, anembanë globit.
E thatë me të drejtë se njohja që i është bërë Kosovës nga Maqedonia dhe Mali i ZI është po kështu një sinjal i rëndësishëm i partneritetit aktiv në bashkëpunimin mes vendeve tona dhe i rolit që kemi marrë bashkë me këto vende, për të qene partnerë të rëndësishëm të paqes dhe stabilitetit rajonal dhe një model i jashtëzakonshëm i lëvizjes së përbashkët në proceset e integrimeve. Prandaj shfrytëzoj rastin tu falënderoj për mbështetetjen që ju keni dhënë deri tani, për gatishmërinë në mbështetjen e mëtejshme. Po kështu Kosova do të jetë mirënjohëse për rolin e madh që ka patur Shqipëria në mbështetje të zhvillimeve të saj,në rolin e madh edhe ka patur edhe pozita edhe opozita në mbështetjen e përbashkët që i kanë dhënë Kosovës.
Ju faleminderit
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›