Në një vit 310 raste pozitive në sëmundjen e kancerit të gjirit

Brenda një viti, janë kryer mbi 12 mijë ekzaminime. Programi INTERREG III, i financuar nga Komuniteti Europian, nëpërmjet rajonit të Puglias (Itali), mundësonte deri në fund të tetorit kryrjen falas të mamografisë në 4 rrethe të vendit; Tiranë, Shkodër, Durrës dhe Vlorë Ministria e Shëndetësisë po punon për gjetjen e mundësive për ofrimin falas të ekzaminimeve mamografike për të gjitha gratë shqiptare deri në fund të vitit 2008. Programi INTERREG III, i financuar nga Komuniteti Europian, nëpërmjet rajonit të Puglias (Itali), mundësonte deri në fund të tetorit kryrjen falas të mamografisë në 4 rrethe të vendit; Tiranë, Shkodër, Durrës dhe Vlorë. "Aktualisht, ka përfunduar sasia e filmave për kryerjen e ekzaminimeve mamografike, ndërsa po përpiqemi për sigurimin e një sasie të mjaftueshme për muajt e ardhshëm, me qëllim ofrimin falas të tij deri në fund të vitit", thotë drejtori i Përgjithshëm në MSH, Bardhi Spahiu. Sipas tij, në kuadër të programit INTERREG III, janë kryer përgjatë një viti (2007-2008) mbi 12 mijë ekzaminime. Kjo shifër tejkalon objektivin e projektit, i cili ishte 11 mijë ekzaminime mamografike. “Në vendin tonë, është bërë dhe po bëhet shumë në drejtim të luftës kundër sëmundjes së kancerit të gjirit. Përveç politikave që po ndiqen nga qeveria dhe MSH për të krijuar kushtet e nevojshme për gratë shqiptare për zhvillimin e ekzaminimeve të ndryshme, që parandalojnë (kapin në kohën e duhur) sëmundjen; përveç spitaleve tona, shumica prej të cilëve, janë të pajisur tashmë me aparatura që ndihmojnë në diagnostikimin e këtyre sëmundjeve, ne mund të përmendin rastin më të mirë, programin INTERREG III. Në kuadër të këtij programi, numri i ekzaminimeve mamografike të kryera është tepër i madh. Brenda një viti, janë kryer mbi 12 mijë ekzaminime mamografike të grave shqiptare, falas, nëpërmjet të cilave janë dignostikuar rreth 310 gra shqiptare me tumor të gjirit. Është një numër i konsiderueshëm, të cilit, edhe pse është në linjë me shifrat e vendeve të zhvilluara, duhet t’i kushtohet rëndësi e veçantë. Ne na gëzon fakti që tashmë këtyre grave u është dhënë mundësia ta kapin në kohë dhe ta luftojnë këtë sëmundje me mënyrat e duhura. Dua të theksoj rëndësinë e zhvillimit të këtij ekzaminimi dhe u bëj thirrje grave shqiptare të zhvillojnë mamografinë, të gjitha ekzaminimet e duhura, pasi janë ekzaminime të thjeshta, të shpejta, joinvazive dhe bëjnë ndryshimin midis jetës dhe vdekjes” thotë Spahiu. Më tej drejtori i Përgjithshëm në MSH shton se përsa i përket përqindjes më të lartë, në të gjitha rrethet, ku është instaluar tashmë aparati i mamografisë, pothuajse jemi në të njëjtat nivele. Nuk ka pasur ndryshime dhe në përqindjet e rasteve pozitive të kancerit të gjirit tek gratë. Ndërsa, ndikimi që ka patur fushata e sensibilizimit ka qenë i madh. Është bërë një punë e madhe për sensibilizimin e grave nga stafi mjekësor dhe ai infermieristik. Që nga fillimi, nga projekti i është kushtuar shumë vëmendje sensibilizmit, pasi u vu re se gratë shqiptare kishin nevojë për të. Rëndësi i është kushtuar nëpërmjet medias, materialeve të ndryshme informuese, por dhe thirrjes së vazhdueshme që u kemi bërë grave për kryerjen e ekzaminimeve dhe e gjithë puna është rezultat i kësaj fushate sensibilizuese. “Sigurisht, fakti që ekzaminimi kryhej falas ka ndikuar pozitivisht në numrin e grave që janë paraqitur, por nuk do ta përcaktoja si një faktor vendimtar. Përkundrazi, vendimtar ka qenë sensibilizimi, kultura në rritje e grave shqiptare për kryerjen e këtyre ekzaminimeve. Shpresoj dhe po përpiqemi për gjetjen e formave që ky ekzaminim të jetë falas edhe për disa muaj pas përfundimit të projektit, ose me një çmim simbolik. Aktualisht, ka përfunduar sasia e filmave për kryerjen e ekzaminimeve mamografike, ndërsa po përpiqemi për sigurimin e një sasie të mjaftueshme për muajt e ardhshëm, me qëllim ofrimin falas të tyre deri në fund të vitit” thotë Spahiu. Janë rreth 450 gra, që paraqiten në vit pranë shërbimeve të onkologjisë, që është një numër i konsiderueshëm. Ndërsa, moshat që preken (flasim gjithmonë për tumoret e sferës gjenitale) janë kryesisht mbi 35 vjeç, si dhe 55-60 vjeç. Shqipëra ka rastet e saj pozitive, por jemi në të njëjtat nivele, standarte, me vendet perëndimore. Përveç prirjes gjenetike, ka disa faktorë që ndikojnë në sëmundjen e kancerit të gjirit. Si faktor kryesor mund të përmend se lindja në mosha të reja ul probablitetin e prekjes nga kanceri i gjirit; lindja në mosha të vona, të rritura, mbi 30 vjeç,shton probalilitetin e prekjes nga sëmundja, apo dhe moslindja e fëmijëve. Lufta më e mirë që mund t’i bëhet sëmundjes është parandalimi, zhvillimi i ekzaminimeve dhe kapja në kohën e duhur. Një tumor i kapur në kohën e duhur, në stadet fillestare, është lehtësisht i luftueshëm ndërkohëqë janë të gjitha mundësitë të eleminohet totalisht. Kapja në stadet e vonshme do të thotë ulje e probabilitetit për të dalë me sukses nga trajtimi i sëmundjes, ndaj dhe i kushtojmë rëndësi sensibilizmit. ...