Liqeni i Fierzës, drejt zhdukjes 4 lloje peshqish

Të paktën katër lloje peshqish janë drejt zhdukjes në Liqenin e hidrocentralit të Fierzës, në verilindje të vendit , një liqen me një gjatësi prej 75 kilometrash, por që shtrihet edhe në Kosovë. "Ballgjani, nili, mëlyshi e muzdraku thuajse janë katër llojet e peshqve që janë drejt zhdukjes në Liqenin e Fierzës, i cili ka numëron 11 lloje peshqish, veçanërisht krapin, luciperkën e karazin", thanë burime zyrtare të Drejtorisë rajonale të Bujqësisë së Kukësit. Sipas burimeve, ujërat e Liqenit të Fierzës monitorohen dhe kontrollohen nga një inspektor në varësi të Drejtorisë rajonale të Bujqësisë, gjë që e bën të pamundur eliminimin e gjuetisë pa kriter të peshkut, gjë që po rrezikon zhdukjen e kësaj pasurie. "Në fshatin Shtiqen të rrethit të Kukësit disa vite më parë kishte një linjë të prodhimit të rasatit të peshkut , e destinuar për t'u hedhur në ujërat e Liqenit të Fierzës, por tashmë jo vetëm që ajo nuk ekziston, por është rritur edhe gjuetia me mjete shfarosëse e peshkut", theksojnë burimet. Përgjatë brigjeve të liqenit të Fierzës që lag 4 rrethe, Kukësit, Hasin, Tropojën e Pukën janë të licensuar vetëm 4 grupe peshkatarësh, ndërsa ushtrojnë aktivitetin e gjuetisë mbi 150 grupe që nuk kontrollohen nga askush. Një prej peshkatarëve të licensuar Resmi Hysnia shprehet se "problemi është se pjesa më e madhe e gjuajnë peshkun me mjete shfarosëse si kimikate, elektrik etj,. Liqeni artificial i Fierzës është më i madhi i këtij lloji në Shqipëri. Ai është krijuar gjatë viteve 79- 80 si pasojë e ndërtimit të Hidrocentralit të Fierzës gjatë viteve 1979-1980. Ujërat e tij lagin territoret e katër rretheve, Kukësit, Hasit, Tropojës dhe Pukës. Sipërfaqja e liqenit arrin në 7 mijë hektarë, gjatësia e tij është 75 km, pasqyra e ujërave të liqenit kap lartësinë prej 350 metrash mbi nivelin e detit. Në këtë këtë liqen jetojnë 11 lloje peshqish, ndërkohë që ai shërben si nyje transporti për të lidhur qytetin e Kukësit me pjesët e tjera të vendit....