Cikli: Eksperimenti me emrin komunizëm/ Viktimat “inteligjente” të Revolucionit bolshevik

Historiografia perëndimore e ka përshkruar Revolucionin e Tetorit për një kohë të gjatë si një produkt të inteligjencës radikale. Në fakt shumë artistë dhe shkencëtarë u vunë asokohe në shërbim të regjimit të ri. Por ata nuk ishin vetëm forca shtytëse, por edhe viktima të revolucionit
Pjesa e Parë
Ndërsa në Rusinë e fundit të shekullit të 19-të tashmë filloi të shfaqej nocioni inteligjenca (inteligencija), në asnjë mënyrë kjo nuk mund të identifikohej me atë që rëndom njihet si një shtresë e mirarsimuar intelektuale. Shumë më tepër se kaq, ai nocion përmbante në vetvete bashkësinë e njerëzve të të njejtit mendim apo ideal i cili e kuptonte misionin e vet përballë pjesës tjetër të popullit të paarsimuar si reformator të autokracisë cariste ose tek e fundit, si shtysë për një revolucion që mund të sillte një sistem tjetër. Historiografia perëndimore e ka kuptuar për një kohë të gjatë dhe trajtuar Revolucionin e Teorit si një produkt të segmenteve të inteligjencës revolucionre me prirje radikale. Por në fakt, qysh prej revolucionit të vitit 1905, shoqëria ruse filloi të tronditej nga trazirat social-politike: sigurisht se pas këtyre ngjarjeve do të ishin edhe shkrimtarët, artistët dhe filozofët, të cilët gjenin në to shenjat e një përmbysje apokaliptike e mesianike të parathënë. Rënia e sistemit të vjetër ishte tashmë thuajse një realitet dhe ai përbënte parakushtin për lindjen e një ere të re në Rusi. Parë në këtë prizëm, Revolucioni i Shkurtit u përshëndet nga nivele të gjera të inteligjencës vendase. Kështu për shëmbull, shkrimtari Vladimir Majakovski, me tone krenare e shpresëdhënëse shkruante: “Ne do ta formësojmë jetën tonë nga e para / duke e zhveshur atë deri në kopsën e fundit”.
Nga ana tjetër, filozofi Nikolai Berdajev, përshëndeste atë që ai e cilësonte si “rënia e Perandorisë së Shenjtë Ruse”. Tashmë çdo gjë dukej e mundur. Marrja e pushtetit 8 muaj më vonë nga bolshevikët, përkundrazi për shumicën e inteligjencës donte të thoshte humbje e lirive të fituara 8 muaj më parë. Ajo më vonë do të perceptohej si barbaria e shkatërrimit dhe do të zhvlerësonte pozicionin social të inteligjencës nëpërmjet prekjes së kufiritit të mbijetesës njerëzore e shprehur në urinë masive, tifos dhe nevojës së pashtershme për material ngrohës në dimrin e hidhur rus. Aleksandër Blok i përkiste atij grupimi të vogël të shkrimtarëve që gjatë Revolucionit të Tetorit përshëndeti edhe vendimin për dhënien fund të luftës në Europë. Në artikullin e tij “Inteligjenca dhe Revolucioni”, të janarit 1918, ai shpjegonte se deri në atë moment, inteligjenca kishte luajtur rolin e profetit të Revolucionit, ndërsa tashmë ata duhet ta pranonin këtë si fakt. Ai shkonte edhe më tej kur në një poemë të njohur me titullin “Të dymbëdhjetët”, e paraqiste Krishtin, duke marshuar ndërsa i paraprinte “gardistëve të kuq”, pasi ai tashmë e krahasonte Revolucionin me “ardhjen e Mbretërisë së Zotit në tokë”. Atasheu ushtarak i atëhershëm francez , i vendosur ne Petrograd e që më vonë njihej edhe si një profesor i vlerësuar i sllavistikës në Universitetin e Sorbonës, Pierre Pascal, përshkruan në ditaret e tij sesi në muajt e parë pas Revolucionit të Tetorit shpesh filloi të besohej e të krahasohej “zbritja e Mesias në tokë” me bindjen e besimin e ri se barazia komuniste dhe vëllazëria e propaganduar midis inteligjencës dhe popullit do të bënin realitet një ëndërr: populli është revolucionar / sepse ai është i krishterë - shkruanin diku asokohe. Edhe ata anëtarë të inteligjencës që në aspektin politik ishin të vendosur në krahun tjetër, shpeshherë shihnin te Tevolucioni i Tetorit mesazhe dhe imazhe mistike dhe apokaliptike. Kështu, ata shihnin tek ai një dramë religjoze dhe antikrishtin. Për shkrimtarë simbolikë si Dimitri Mereshkovski, ai ishte një mëkat i madh. Ai shkruante ndër të tjera se ringjallja e Rusisë mund të vinte vetëm kur bolshevikëtr të rrëzoheshin nga pushteti. Në një përmbledhje veprash filozofike, Nikolai Berdjajev bënte përgjegjës pasivitetin dhje nihilizmin e inteligjencës për triumfin e Revolucionit bolshevik. Futuristët dhe konstruktivistët, përkundrazi, që në vitin 1917 kishin kërkuar ndarjen njëherë e mirë nga tradita kulturore borgjeze. Për ta, Revolucioni do të thoshte autonomi e plotë për artin, çlirim nga të gjitha dogmat.
Vepra e tetorit për ta ishte më shumë një revolucion kulturor se sa politik i Leninit. Për ta arti ishte mjeti për orientimin dhe formësimin plotësisht të ri të jetës. Një seri artistësh u vunë kështu - sigurisht me dëshirë - në dispozicion të regjimit të ri që personifikohej më së miri në figurën e Komisarrit të Popullit (ministrit) Anatolij Lunaçarski, i cili u bënte thirrje atyre të bashkoheshin me Revolucionin. Sipas tij dhe propagandës sovjetike, “arti duhej t`i shërbejë prodhimit të njeriut të ri”. “Me artin borgjez të së shkuarës, arti i ri duhet të ketë një ndarje radikale”, deklaronte Ossip Brik, një mik i ngushtë i Vladimir Majakovskit dhe një teoricen i futurizmit. “Arti – thoshte ai- ose duhet të jetë proletar ose më mirë të mos jetë fare”.
Piktori Kazimir Maleviç, shkrimtari Majakovski, regjisori Vsjevollod Meyerhold dhe Sergej Ajzenshtajn - të gjithë këta në fushat e tyre personifikonin eksperimentin revolucionar në art. Skenat impozante masive në sheshet e Petrogradit dhe të Moskës ishin bërë pjesë tashmë të lojës së tyre, të asaj që cilësohej si “Agitproptheater” “Proletkult”, lirikës agjitative dhe pllakatave politike, dizajnit propagandistik apo pjesëzave agjitative, të cilat gjatë luftës civile shfaqeshin në front për të përshkruar me nota artistike fitoren e të kuqve mbi të bardhët. Është e vërtetë se shumë nga shkrimtarët, filozofët dhe artistët e asaj kohe ishin të kapur nga një ndjenjë optimizmi që sillte me vete edhe vepra të mira në aspektin artistik. Në kohën më të keqe të luftës civile dhe të të ashtuquajturit “komunizmi luftarak”, nga 1918 deri në fund të 1920, avangarda e shoqërisë ruse u shndërrua në një simbiozë plot ndikim mbi Revolucionin. Popullariteti i një Majakovski gjithsesi mund të arrihej vetëm nga një shkrimtar me prejardhje fshatare si Sergei Jesenin, i cili përkrahjen e tij ndaj Revolucionit e gjente në vargjet e tij me nota mesianike. Për të, para së gjithash triumfi i tij ishte një fitore e Rusisë fshatare, pra e shtresës më të varfër. Por pasi ai u zhgënjye nga zhvillimet e mëpasme, në vitin 1925 vrau veten.
Ngaqë bolshevikët nuk kishin akoma përfytyrime të qarta për kulturën postrevolucionare në vitet e para pas 1917, ata eksperimentuan një seri projektesh kulturore të mbarsuara me vizione utpike. Ëndërrimtarë dhe utopistë përpiqeshin të formësonin në kokën e njerëzve imazhin e një bote të re dhe të një njeriu të ri. “Muri mes artit dhe prodhimit do të bjerë”, profetizonte kundërshtari i mëvonshëm i Stalinit, Leo Trocki në vitin 1923: më tej ai shtonte se “në të njëtën kohë do të bjerë edhe muri mes artit dhe natyrës.. dhe në fund njeriu do ta ndërtojë sërish tokën, në mos sipas shembëlltyrës së vet, gjithsesi sipas shijeve e dëshirës së tij”.
Njëri nga projektet më të mëdha edukative për “njeriun e ri” e përbënte “lëvizja për një kulturë proletare kolektive” e njohur ndryshe si “Proletkult”. Ideja ishte konceptuar që në vitin 1905 nga Aleksandër Bogdanov, kështu që në verë 1917 ai filloi të vihej në jetë. Organizata “Proletkult”, që në vitin 1921 numëronte thuajse po aq anëtarë sa edhe Partia Komuniste. Kultura - për Bogdanov - ishte forma më e lartë e njerëzimit, pasi në të nuk ngrinte më peshë “uni” por kolektivi. Sipas tij, Revolucioni politiko-ekonomik duhej të plotësohej nga Revolucioni Kulturor. Por përfaqësuesi më radikal i “Proletkult”-it ishte poeti dhe inxhinjeri i ri, Aleksej Gastjev. Për të, “arti proletar”, që nga mekanizimi i botës së punës në fabrikë deri në mekanizimin e jetës së punëtorëve, përbënte një revolucion total të normave estetike. Në vitin 1920, Gastjev me bekimin e Leninit çeli një institut qendror të punës për racionalizimin dhe organizimin shkencor të punës, në të cilin ai shfrytëzoi “Tejlorizmin” kapitalist për nevojat e prodhimit socialist. Një seri drejtuesish të “punës me akord” të lëvizjes së ashtuquajtur Stashanov, u shkollua në institutin e tij para se ai të ekzekutohej nga Stalini në 1939.
Ndër projektet e panumërta utopike që i përkisnin eksperimentit për krijimin e njeriut të ri, ishin edhe ato sociale, të cilat pedagogu Anton Makarenko nisi t’i aplikonte te kriminelët ordinerë, adoleshentët e rinj me precedentë penalë dhe te të burgosurit politikë e të internuarit në kampet e punës. Po kështu, një ideologji e re e kulturës trupore do t`i vinte në ndihmë përmbushjes së edukimit moral duke rritur ndjenjën sociale e kolektive. Kjo përputhej më së miri me normat e edukimit ushtarak. Krijimi i njeriut të ri përmblidhte ne vetvete edhe aspekte të thella shkencore, eksperimente “eugenike”, të cilët studionin trashëgiminë gjenetike të proletarëve; për këtë kujdesej një byro speciale, asokohe e quajtur “eugjenike”. E bija e një gjenerali, Aleksandra Kollontajn, në kohën e Leninit, Komisare për çështjet sociale propapgandonte një moral të ri seksual proletar, i cili lidhte konceptin e një jete seksuale në shina sociale me kreativitetin spontan natyror të punëtorëve. Por, gjithsesi, në krahun tjetër, rritjen e përmasave utopike në vizionin e shoqërisë së re filluan ta godisnin e ta satirizonin shkrimtarë si Jevgenij Samjatin, i cili në një satirë sociale të shkruar në 1920 me titullin “Ne”, deklaronte se ai nuk mund të shfaqej më në BS për shkak të degjenerimit të profetizuar të shoqërisë komuniste, asokohe. Aty thuhej se çdo gjë tashmë ishte e mekanizuar dhe e standartizuar, se njerëzit nuk kanë më as emra e që tashmë identifikohen me shifra e gërma (zanore për gratë e bashkëtingëllore për burrat). Samjatin vetë u desh t’ i bënte ballë një fushate të egër urrejtjeje kundër tij që i mbijetoi vetëm falë një ndërhyrje të Gorkit që i dha mundësinë të emigronte në vitin 1931 e t`i shpëtonte kështu ferrit stalinist. Pjesëza e tij “Ne”, arriti të shfaqej në BS vetëm në vitin 1988. Megjithë kufizimet e panumërta politike, zelli artistik, i cili kishte përshkruar periudhën e hershme të Revolucionit ndër artistë e shkrimtarë, le të themi, arriti të mbahej gjallë deri në fund të viteve ‘20. Ndërkohë artistë, arkitektë, piktorë e restaruatorë u thirrën të përçonin artistikisht në mënyrë vizuale mesazhin e Revolucionit për shoqërinë.
Pjesa e Dytë
Çfarë e shtyu Maksim Gorkin të kthehej në atdheun e mbërthyer nga kthetrat staliniste e të pranonte kompromisin me diktatorin e sistemin të cilin ai më parë kishte guxuar ta kritikonte e që e kishte detyruar të merrte rrugën e emigrimit? – Cila ishte gjendja e inteligjencës sovjetike dhe roli i saj në vitet ’20-’30 të shekullit të kaluar?
Ndërkohë artistë, arkitektë, piktorë, restauratorë etj. u thirrën të përçonin artistikisht në mënyrë vizuale mesazhin e Revolucionit për shoqërinë. Për këtë nisën të ngriheshin monumente të reja, pallate të punës e të kulturës, por sigurisht lindën edhe pulla postare e vula të shërbimit publik. Nisën të ngriheshin shkollat e reja të artit në Petrograd, në Moskë e Vitebsk. Në tipografi, fotografi, artin pllakativ dhe atë të porcelanit, u vendosën plotësisht norma të reja, duke sjellë forma fare të panjohura deri në atë kohë në dizenjimin e mobiljeve, veshjeve dhe pajisjeve shtëpiake. Pak më e vështirë dukej puna me filmin e kinematografinë, të cilin vetë Lenini e cilësonte si “formën artistike më të rëndësishme revolucionare”. Lufta civile pothuajse e kishte shkatërruar plotësisht industrinë filmike ruse. Kështu që në vitin 1918-1920 zhiroheshin vetëm filma dokumentarë dhe lajme. Vetëm në 1921 kur nisi të futej në planin e ri ekonomik edhe elementi i ekonomisë private u xhiruan kështu edhe filmat e parë të mëdhënj revolucionarë: ata mbanin firmën e regjisorit Sergej Ajzenshtajn “Greva” (1924) dhe “Korracata e Potjomkinit” (1925), e një seri filmash të të tjerë të famshëm për atë periudhë, gjatë viteve ‘ 20. Edhe jeta letrare në këtë kohë që po flasim u dëshmua tejet produktive. Një numur i madh shtëpish botuese, revistash e botimesh letrare, nisën t’ i bënin konkurrencë njëri-tjetrit. Proza rrëfimtare arriti të sjellë emra të mëdhenj si Isaak Babel, Mihajl Bulgakov, apo dhe Boris Pasternak. Ilia Ehrenburg e përshkruan periudhën nga 1917-1921 si “kohë të madhe për projekte hyjnore mbi tokë”. Edhe vetë shkrimtari Varlam Shalamov, i cili pas 1937 pjesën më të madhe të jetës u desh ta kalonte nëpër gulage, e kujtonte edhe më vonë atë kohë me entuziazëm . Vetëm “revolucioni nga lart” stalinist në fund të viteve ‘ 20 dhe institucionalizimi i artit nga shteti, solli fundin e lirisë krijuese dhe thuajse shkatërrimin e plotë të shpirtit të deriatëhershëm relativisht të pavarur, të inteligjencës sovjetike. Me këtë hap, Revolucioni shkatërroi tek e fundit iniciatorin e tij.
Por edhe ndër artistët, të cilët ishin të rreshtuar në shërbim të Revolucionit, si shkrimtari Maksim Gorki, mund të dëgjoheshin zëra pakënaqësie, sidomos në fillimet e Revolucionit. Kështu, në revistën e themeluar prej tij në pranverë 1917, me titulin ”Novaja zhizn” (Jeta e re), Gorki shprehet kritik ndaj diktaturës leniniste, duke e cilësuar atë si “rikthim në mesjetë”. Sipas tij, çuditërisht, në atë periudhë, Lenini dhe udhëheqësi ushtarak i Revolucionit, Leo Trocki, ishin “zjarrvënës” që po e hidhnin popullin rus drejt një humnere të llahtarshme...duke mos e pasur fare idenë se çfarë dëmi po i bënin dhe se ku po e çonin, duke i akuzuar se atyre u mungonte morali dhe se nuk e dinin se çfarë është liria. “Jo proletariati, as fshatarësia, por vetëm inteligjenca – gjëja më e çmuar që Rusia kishte mundur të prodhonte në rrjedhën e kohës gjatë historisë së saj të urryer e të vështirë - ishte truri dhe zemra e vendit”- shkruante asokohe plot guxim Gorki. Shkurt ai tentonte tek edukimi i masave dhe jo politizimi i tyre. Nuk është e habitshme që Lenini në vitin 1918 urdhëroi mbylljen e revistës së Gorkit. Në vitin 1921, pak javë pasi Aleksandër Blok vdiq nga uria dhe deziluzionimi dhe shkrimtari tjetër i përkrahur nga Gorki, Nikollai Gumiliov u ekzekutua me akuzën e veprimtarisë kundrarevolucionare, vetë Gorki vendos të shkojë në ekzil. Pas dy vizitave të shkurtra në vitet 1928-29, ai, në vitin 1931 vendos të kthehet përfundimisht në atdhe, duke u vendosur tashmë në fronin e shkrimtarit më të madh e më të preferuar të letërsisë sovjetike nga vetë Stalini.
Tashmë, në përputhje me shpirtin dhe frymën e kohës së re - pretendonte Gorki - ai ishte gabuar e ngatërruar në vlerësimin e rolit historik të inteligjencës, edhe nëse romani i tij i papërfunduar i viteve ‘ 20 me titull “ Jeta e Klim Samgim” i përkiste një familjeje të inteligjencës.
Rreth viteve të fundit të jetës së Gorkit në BS dhe mbi vdjekjen e tij në vitin 1936 - ende të pasqaruar - është spekuluar shumë. Që nga viti 1932, nderimi i tij e veprës së tij, u kthye në kult. Në kongresin themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve Sovjetikë, në vitin 1934, teoria e tij letrare, “Realizmi socialist” u shpall si vepra estetike udhëheqëse e letërsisë sovjetike. Që Stalini ia kishte nevojën Gorkit për ndërtimin e një kulture sovjetike për të mbajtur në këmbë fasadën e vazhdimësisë, dmth. të lidhjes mes epokës pararevolucionare dhe asaj postrevolucionare në kulturën ruse, kjo ishte evidente. Por se çfarë e bëri Gorkin të lëvizte e të kthehej në një atdhe të mbërthyer tashmë nga kthetrat e stalinizmit, kjo ende nuk është arritur të shpjegohet. Aleksandër Solzhenicin në veprën e tij “Arkipelaku Gulag” e ka kritikuar “sjelljen qaramane” të Gorkit. Mos vallë shkrimtari “i madh” u nis nga arsye personale dhe familjare dhe bëri kompromise me Stalinin – apo mos vallë atij i bënë presione?
Një gjë është e qartë: se shërbimi i fshehtë sovjetik arriti ta izolonte atë gjithnjë e më shumë nga mjedisi që e rrethonte e nga i cili ai do të donte të shoqërohej. Vetëm në raste shumë të rralla, Gorki shfaqej papritur duke ndërhyrë - për të shpëtuar nga vendimet me vdekje që jepnin gjykatat ruse në kohën e spastrimeve të mëdha - për ndonjë mikun e tij seriozisht të kërcënuar, siç ishte shkrimtari Mihail Bulgakov. Në Rusinë e sotme, shkrimtari “i madh“ i epokës sovjetike dhe vepra e tij, thuajse kalohen në heshtje.
Shkrimtari i instrumentalizuar
Maksim Gorki (1868-1936) ishte një figurë tragjike. Stalini ia doli ta shfrytëzonte atë si shembullin më të mirë të letërsisë së realizmit socialist, duke e instrumentalizuar në shërbim të qëllimeve të tij.
Bolsheviku sensibël
Nikolai Buharin pas vitit 1917 bënte pjesë te rrethi i ngushtë i drejtuesve komunistë sovjetikë. Teoricieni i ekonomisë i kishte pikë të dobët poetët e përndjekur e shpesh ndërhynte për ta. Por në 1938, Stalini e arrestoi dhe pas një procesi të montuar, e ekzekutoi
Pjesa e Tretë
Cilat ishin format e represionit dhe metodat që përdorën bolshevikët për “të sjellë në shina” njerëzit e kulturës e të shkencës. Sa ishte numri i përfaqësuesve të inteligjencës, të cilët u detyruan të largoheshin nga vendi i tyre dhe cilët ishin emrat më të njohur rusë që emigruan e bënë emër edhe në emigracion në vitet ’20-’30 të shekullit të kaluar
Për ata që mendonin ndryshe, qysh në fillim të viteve ’20, regjimi sovjetik u kujdes të ndërtonte kampe pune. Pushteti i cilësonte këto të fundit me një eufemizëm si “kampe riedukimi”. Historianë dhe filozofë, shkrimtarë dhe shkencëtarë u dërguan në internim në ishujt Solovecki, në Detin e Bardhë subarktik. Represioniet kundër inteligjencës dhe qindra-mijëra anëtarëve e kuadrove partiakë, socialrevolucionarëve dhe menshevikëve, kishin nisur në fakt qysh në vitin 1918. Në vjeshtë të 1922, dy avullore gjermane - me emër në atë kohë - ngarkuan në bordin e tyre 43 intelektualë të njohur rusë nga fushta e filozofisë, letërsisë, shkëncës etj., duke i tërhequr drejt azilit; konkretisht duke ia nisur me itinerarin nga Petrogradi drejt brigjeve balltike gjermane. Anijet e ashtuquajtura “të filozofëve” i shërbyen deportimit të parë masiv të detyruar të njerëzve të kulturës ruse. Si pasojë e një dekreti të nënshkruar nga Lenini, 224 anëtarë nga inteligjenca ruse - e cilësuar si kundrarevolucionare dhe antisovjetike - u urdhëruan të braktisnin vendin. Në Berlin, Paris, Pragë e qytete të tjera të Europës Qendrore e Perëndimore, ata tashmë përbënin komunitete të reja ruse jashtë kufijve të mëmëdheut. Nëpërmjet numrit jashtëzakonisht të madh të inteligjencës, trashëgimia pararevolucionare ruse në kulturë arriti të mbahej në këmbë në vendet ku ata shkonin, duke u thithur shpejt edhe nga elitat e vendeve ku ata shkonin, porse në vetë BS, ajo nisi të diskretitohej dita-ditës. Në komunitetin e artistëve të emigruar, kishte artistë me emër si Ivan Bunin ( i cili në vitin 1933 ishte i pari rus që mori Çmimin Nobel në letërsi) dhe Vladimir Nabokov; piktorë si Mark Shagal dhe Vasilij Kandinski, si dhe muzikantë dhe kompozitorë, siç ishte Igor Stravinski apo edhe këngëtari operistik, Fjodor Shaljapin.
Gjatë “Revolucionit proletar”, sigurisht se nuk ishte aq e thjeshtë të distancoheshe direkt e të shpreheshe kritik ndaj inteligjencës, e kjo vazhdoi në një farë mënyre edhe më pas; sepse njohuritë e njerëzve të arsimuar, sidomos në sferën shkencore e teknike ishin në atë fazë, sigurisht shumë të kërkuara për ndërtimin dhe mbajtjen në këmbë të sistemit të ri. Të cilësuar si “specialistë civilë”, ish-oficerë caristë në ushtri apo teknikë dhe inxhinierë në administratë, ekonomi dhe industri u mbajtën dhe u integruan për sa kohë “inteligjenca e vjetër” u zëvendësua nga një “e re”, e përbërë nga radhët e punëtorëve dhe fshatarëve.
Por shfrytëzimi i kësaj mase të “specialistëve civilë” (borgjezë), në asnjë mënyrë nuk mund të thuhet se vijoi pa konflikte: shpesh ata bëheshin objekte të turpërimit deri në skaj, kur zëvendësoheshin - apo më keq akoma - kritikoheshin rëndë apo rriheshin për vdekje publikisht nga punëtorë të pakualifikuar e komunistë të niveleve të ndryshme. Proceset e inskenuara nga Stalini - sidomos në gjysmën e dytë të viteve ’30 - drejtoheshin në një pjesë të madhe edhe kundër inxhinierëve e teknikëve të vjetër, të cilët shpesh e gjenin veten të rrethuar nga akuzat për sabotazh. Të panumërt janë edhe emrat e njerëzve të kulturës, të cilët në vitet ‘ 30 u bënë viktima të spastrimeve staliniste. Disa prej tyre u rehabilituan pas vdekjes së Stalinit e disa nisën të dilnin sërish në sipërfaqe, në epokën e Perestrojkës gorbaçoviane.
Fati i inteligjencës në vitet e Revolucionit dhe më pas, ishte i mjerë. Përveç viktimave, kishte edhe bashkëudhëtarë në rrugën e Revolucionit komunist e madje sigurisht, edhe pjesëtarë nga rrethi i vetë persekutorëve. Shkrimtarët, artistët dhe shkencëtarët kishin kontribuar shpesh me bindje të thellë, dukë punuar ditë e natë për të ndërtuar “socializmin real”, dhe disa prej tyre kishin arritur të përfitonin edhe privilegje materiale. Kështu që nisur nga kjo, nuk duhet parë fati i tyre si gjithmonë i zi zi, apo si një tragjedi e paparë e një elite të viktimizuar. Shumë prej tyre e pranon në heshtje e me ndërgjegje atë që po ndodhte dhe nuk ngrinin zërin duke vijuar të përfitonin favore nga regjimi, të cilat shpesh ishin të konsiderueshme.
Në tregimin e saj mjeshtëror me titull “Gjeneratë pa lotë”, Nadjezhda Mandelstan përshkruan - duke mbajtur parasysh shembullin e bashkëshortit të saj, të lirikut të madh rus të shekullit të ‘ 20, Osip Mandelstan - humbjen e “unit” tek intelektualët rusë, duke e trajtuar atë si martirin e vërtetë të inteligjencës. “Si mund të ndodhte kjo- si arritëm ne deri këtu?”. Me të tilla pyetje, ajo i bënte apel përgjegjësisë e ndërgjegjes së intelektualëve sovjetikë për gjithçka që po ndodhte në atë kohë. Kur në vitet ‘ 70 disidenti Andrej Saharov dhe Aleksandër Solzhenicin, bënin thirrje për rikthim në vlerat e inteligjencës pararevolucionare, në Rusinë postsovjetike lindi miti “i inteligjencës së vërtetë” asaj “të mirfilltë”, ku sigurisht veçohej vetëm aspekti jopolitik, shpirtëror dhe madje religjoz i kësaj elite, duke mos sjellë sërish një shërim të vërtetë sipas normave perëndimore të shpirtit krijues e duke e përshtatur atë me frymën e pushtetit të ri neonacionalist e autoritarist rus. Angazhimi i saj social apo revolucionar, lihet tërësisht pas dore, apo thjesht nuk tenton të lidhet me këtë nocion. Edhe krerët e Revolucionit në Rusinë e sotme nuk llogariten më si përfaqësues të mirëfilltë inteligjencës vendase. Ironia e historisë i ka hedhur njerëz të tillë si Lenini, Trocki, Buharini apo Lunaçarski, pikërishtr në atë vend që historia - sipas Trockit në vitin 1917 - kishte rezervuar për njerëz e shtresa të tilla shoqërore, domethënë në “koshin e plehrave”.
Funksionari poet
Anatolij Lunaçarski (1875- 1983) mbulonte në kabinetin e parë të drejtuar nga Lenini, postin e Komisarit (Ministrit) të Popullit për Arsimin. Ai ishte njeri tepër i lexuar dhe kur kishte kohë, i kushtohej poezisë, ndërsa punonte në zyrat e Kremlinit.
Projekt gjuhësor utilitar
Për të ngritur në këmbë një botë të re, në vitin 1919 edhe gjuha ruse u kërkua të pastrohej në mënyrë radikale, duke u përshtatur me interesin strikt që shkonte drejt mendimit utilitar e distancohej nga ai i pakufijshëm dhe racional. Kështu u desh të rishikoheshin plot vepra letrare, të cilat nuk përputheshin me imazhin e përfytyrimin revolucionar.
...