Reagon Arvizu: Letra e ish-ambasadorit Withers flet vetë

Aleksandër Arvizu
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë Aleksandër Arvizu është shprehur se nuk mund të komentojë mbi letrën e paraardhësit të tij John Withers. Arvizu ka thënë se nuk ka çfarë të shprehë lidhur me atë që thuhet në letër.
Ne nuk komentojmë për kabllogramet e Wikileaks, letra e Withers flet vetë, tha Arvizu. Deklarata e ambasadorit u bë gjatë konferencës Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane: Ndërtimi i së ardhmes.
Xhon Widhërs, ish-ambasadori amerikan në vendin tone gjatë periudhës gusht 2007 gusht 2010, reagoi përmes një letre publike mbi zbardhjen e kabllogrameve të Wikileaks. Ai i drejtohet shqiptarëve duke pranuar se korrespondenca e tij është e bazuar në të vërtetën e aktualitetit shqiptar. Ai thekson se diplomatët amerikanë gjithmonë shprehin dhe raportojnë vetëm të vërtetën dhe nuk bëjnë politikë personale.
“Edhe përpara se të largohesha ka pasur sugjerime se unë paskam pasur një axhendë personale gjatë qëndrimit tim në Shqipëri. Eprorët e mi i kanë quajtur këto pohime si të gënjeshtërta dhe i kanë refuzuar ato kategorikisht në një komunikim zyrtar, i cili më pas u bë publik, me nivelet më të larta të qeverisë tuaj. I njëjti pretendim ka lindur sërish. Dhe prapë mbetet i pavërtetë. Ironikisht, asgjë nuk e provon këtë më qartë se sa vetë zbulimet e Wikileaks. Në mënyrë të pakundërshtueshme, ato tregojnë drejtpeshimin, paanshmërinë dhe objektivitetin e raportimit të ambasadës për Shqipërinë gjatë punës time atje, shprehet në letër Withers.