E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Nëse më propozon PD e LSI, unë kandidat për Tiranën



BLENDI FEVZIU

Lulzim Basha do të jetë kandidati i maxhorancës për zgjedhjet lokale për Bashkinë e Tiranës, nëse kjo do të jetë një vendimmarrje e koalicionit PD-LSI. Këtë e bëri të ditur vetë ministri i Brendshëm gjatë një interviste në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Nga biseda me ju sot në studio kishte një gjuhë të ashpër ndaj opozitës dhe kishte një emër, një adresë të saktë Edi Rama dhe mu krijua ideja sikur ka nisur një fushatë elektorale që mund të shohë si protagonistë Lulzim Bashën dhe Edi Ramën. Edhe media ka shkruar për këtë gjë. Mund të ndodhë që në të ardhmen elektorale të kemi përballë Lulzim Bashën dhe Edi Ramën?
Fushata elektorale parlamentare përfundoi në qershor. Fushata tjetër sipas gjasave vjen vitin tjetër.
Jeni ju një kandidat?
Këto janë çështje që i përkasin për nga vendimmarrja në radhë të parë Partisë Demokratike dhe radhë të dytë koalicionit me Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Dukeni shumë i buzëqeshur kur e thoni këtë...
Nëse ka një ofertë konkrete, të jeni të bindur që i gjithë angazhimi, përkushtimi dhe energjitë e mia do të jenë në dispozicion.
Pra, ju do të ishit i gatshëm të konkurroni në Bashkinë e Tiranës përballë Edi Ramës, që i ka mundur tri herë rresht kandidatët tuaj?
Nuk më impresionon fare kjo e fundit që the. Edhe njëherë e thashë, jemi goxha kohë para zhvillimeve që kanë të bëjnë me fushatën.
Do largoheshit nga Parlamenti...
Unë nuk bëj kalendar politik për çështje që nuk më takojnë ekskluzivisht mua. është çështje vendimmarrje e Partisë Demokratike, e forumeve të saj dhe e koalicionit. Edhe njëherë po u them, është kjo vendimmarrje dhe nuk dua as nuk mundem ta paragjykoj. Por angazhimi dhe energjia ime janë siç kanë qenë deri më sot, në dispozicion të kësaj maxhorance.
Përgjigjja juaj të jetë më konkrete. Jeni të gatshëm ta përballoni një sfidë me kryetarin e Bashkisë së Tiranës?
Unë nuk i jam trembur asnjë sfide, fitoren e të cilës e gjykoj se i shërben arritjes së objektivave të këtij vendi dhe atyre për të cilat unë besoj.
Nuk u ngjan sfidë e pamundur përballja me Edi Ramën...
A do më lini të shprehem? Nuk i trembem absolutisht asnjë sfide, e cila do të kontribuonte në arritjen e objektivave dhe shërbimin ndaj qytetarëve të këtij vendi dhe absolutisht as sfidës që ju përmendët. Natyrisht nuk mund të paragjykoj procesin, sepse procesi është vendimmarrje e partisë sime, Partisë Demokratike dhe partnerit në koalicion, por absolutisht kam gjithë angazhimin dhe energjinë të përballem me çdo sfidë dhe të dal fitimtar.
Keni ndonjë ide që në pranverën e vitit të ardhshëm Shqipëria të shkojë paralelisht në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme dhe ato lokale. Rama ka deklaruar se s’do lejojmë të bëhen zgjedhje në Shqipëri pa transparencën e zgjedhjeve të kaluara...
Aktualisht kemi dy pozicione të qarta, pozicionin e maxhorancës, që i ka ofruar opozitës të gjitha koncesionet që mund të ofrojë maxhoranca. Ajo ka detyrë ta mbrojë dhe jo ta shkelë kushtetutën. çfarë ka në dorë maxhoranca ia ka ofruar opozitës. I ka ofruar komisionin dhe shumicën në të, ndonëse i takon opozitës. Maxhoranca nuk mundet me ndërgjegje të plotë të shkelë Kushtetutën.

Basha: Statusi, i rëndësishëm kriteri politik
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, tha dje se kriteri politik do të jetë i rëndësishëm në marrjen e statusit kandidat nga ana e Shqipërisë. “Ne sapo kemi kthyer përgjigjet për pyetësorin, presim përgjigjen nga Komisioni. Besoj që puna që është bërë është shumë serioze. Një pjesë e rëndësishme është te kriteri politik dhe në këtë kuadër Qeveria dhe opozita duhet të marrin përgjegjësi të plota për këtë proces, në të kundërt mendoj se qytetarët shqiptarë në këtë moshë të informacionit do të dinë të ndajnë përgjegjësitë”, tha Basha. Ai u shpreh optimist për heqjen e vizave brenda një kohe të shkurtër, teksa deklaroi se Tirana zyrtare i ka plotësuar kushtet e përcaktuara në Udhërrëfyes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›