E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagon MB: PS pa program dhe kërkesa të qarta

Ministria e Mbrojtjes reagoi sot lidhur me akuzat e Partisë Socialiste në drejtim të Ministrit Imami, për refuzim të kontrollit dhe inspektim të punës së kësaj Ministrie si dhe mospritje të deputetëve socialiste.
 

Në një komunikim për mediat Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri, tha se delegimi tek ai, i pritjes së deputetëve socialiste ishte rezultat i angazhimeve të Ministrit, ndërsa shtoi se si në takimin e parë ashtu edhe në atë të dytin deputetët nuk kanë paraqitur program të qartë apo kërkesë, për të cilin ishte rënë dakord nga të dyja palët në takimin e së premtes.
 

“Një javë më parë u paraqitën në Ministrinë e Mbrojtjes një grup deputetësh të Partisë Socialiste, të cilët kërkuan takim me Ministrin e Mbrojtjes. Për shkak të angazhimeve në analizën 6-mujore të Forcave të Armatosura, Ministri më delegoi që në funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm t`i prisja dhe të shqyrtoja shqetësimet e tyre. U kërkova që të përgatisin një program pune, të formuluar nga Kuvendi, i cili do të përcillej në rrugë zyrtare në Ministrinë e Mbrojtjes.

Po sot paradite, disa deputetë të opozitës erdhën pa njoftim paraprak para Ministrisë së Mbrojtjes duke kërkuar takim me Ministrin. I prita dhe i ngarkuar sërish nga Ministri, u kërkova nëse kishin arsye konkrete për t`u takuar me zotin Imami. Deputetët e Partisë Socialiste nuk shprehën ndonjë kërkesë konkrete dhe as paraqitën program të kërkuar në përputhje me procedurat. Pretendimi se ka një kërkesë të rregullt të deputetëve për kontroll apo mbikëqyrje në përputhje me procedurën parlamentare nuk qëndron” deklaroi ai.

Kulluri gjithashtu shprehu gadishmërinë e Ministrisë së Mbrojtjes për t`iu nënshtruar cdo lloj kontrolli apo hetimi, në bazë të asaj cfarë përbajne dhe predispozitat ligjore, ndërsa konfirmoi dhe njëherë gadishmërinë e Imamit për të qenë prezent më 16 Korrik ne seancën dëgjimore në Komisionin e Sigurisë.

 “Ashtu edhe siç jeni në dijeni, sot Komisioni i Sigurisë, me iniciativë të deputetëve të Partisë Demokratike, përgatiti një kërkesë për seancë dëgjimore me Ministrin e Mbrojtjes. Ministri është shprehur i gatshëm të raportoj në çdo moment dhe për çdo çështje për të cilat deputetët janë të interesuar, ashtu siç ka vepruar gjithnjë”perfundoi Kulluri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›