Bushati: Vizat? Ja çfarë duhet të bëjë qeveria
Partia Socialiste i kërkoi mazhorancës që t‘u bëjë të ditur shqiptarëve faktin se kjo qeveri ka dështuar në përmbushjen e standardeve, të cilat kanë të bëjnë me heqjen e regjimit të vizave. Deputeti i PS-së, Ditmir Bushati, theksoi dje gjatë një deklarate për shtyp, se kjo qeveri nuk mund t‘i fshehë më dështimet e saj para shqiptarëve, duke u përqendruar në retorikë, duke akuzuar opozitën padrejtësisht. Sipas Bushatit, "qeveria vazhdon me papërgjegjshmërinë e saj, duke i dhënë shumë pak shpjegime opinionit publik për këtë proces dhe ç‘është më e keqja, duke shpresuar në një vendim pozitiv që mund të vijë nga qielli dhe jo nga përmbushja e standardeve". Më tej, ai informoi opinionin se "nga vlerësimi që i është bërë përmbushjes së reformave në bllokun e dytë të udhërrëfyesit të liberalizimit të vizave, që përfshin çështjet e migracionit të paligjshëm dhe të ripranimit, rezulton se asnjë nga masat e parashikuara për t‘u zbatuar gjatë muajit shtator sipas planit të veprimit të miratuar nga vetë qeveria në korrik të këtij viti nuk është realizuar". Por, selia rozë thekson se ka një rrugëdalje nga kjo situatë, ndaj i kërkon qeverisë që të miratojë sa më shpejt strategjinë e përditësuar dhe planin e veprimit për menaxhimin e integruar të kufijve; të sigurojë bashkëpunimin e agjencive që operojnë në kufi, të tilla si shërbimi doganor, policor dhe kontrolli sanitar e fitosanitar; të sigurojë zbatimin e programit antikorrupsion për policinë e kufirit dhe migracionit; të krijojë qendrën ndërinstitucionale operacionale detare; të intensifikojë instalimin e sistemit TIMS në të gjitha pikat e kalimit kufitar.
E.Gj.
E.Gj.