E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankohen gjermanët: Pronat, pengesë për investimet tona

Bizneset gjermane po e shikojnë seriozisht mundësinë për të investuar në Shqipëri, duke shpalosur një sërë projektesh ambicioze për të ardhmen, por i shqetëson një fenomen: konflikti i pronës. Kësaj dileme nuk ka mundur t‘i japë përgjigje as ministri i Punëve Publike dhe as ai i Ekonomisë dhe Tregtisë, të vendosur në një panel diskutimesh përpara investitorëve gjermanë. Pas fjalës së Kryeministrit Berisha, sekretarit gjerman për Ekonominë dhe ambasadorit gjerman, të pranishmit në Forumin Ekonomik të të dyja vendeve paraqitën një sërë pyetjesh, të cilat vërtiteshin rreth procesit të pronës dhe problemeve që mbart ajo në 17 vjet tranzicion. "Sa i sigurt jam unë nëse prona ku po ndërtoj të mos ketë konflikte me palë të ndryshme? Po hipotekat, sa transparente janë në verifikimin e titujve të pronësisë? etj.", ishin ndër pyetjet drejtuar ministrave të qeverisë "Berisha". Në fakt, debatin për çështjen e pronës e hapi më parë ambasadori gjerman në Tiranë, Borchardt, i cili tha se garancia për investitorët e huaj, sidomos gjermanë, është zgjidhja e konflikteve të pronave. Këtë sinjal e kishte dhënë ditë më parë edhe ambasadori anglez, në një takim të zhvilluar me kryeregjistruesin e pronave të paluajtshme. Duke u nisur nga problematika, ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, iu është drejtuar investitorëve gjermanë me fjalët se "nuk duhet të na paragjykoni, mjafton një vizitë në Shqipëri për të mësuar kushtet që ofrohen në drejtim të investimeve të huaja". Kurse ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, e konsideroi çështjen e pronave si shumë serioze, "por për zhvillimin e investimeve të huaja, qeveria i ka të gjitha mekanizmat për të ndërhyrë në drejtim të zgjidhjes së problemit".

Pengesat

Infrastruktura dhe çështja e pronave u konsideruan si pengesat serioze në zhvillimin e investimeve të huaja në vend, ndërsa sektorët parësorë për bizneset gjermane mbeteshin energjetika, mbetjet e ngurta dhe ndërtimi. Në fjalën e tij, ministri Ruli tha se klima e biznesit do të marrë formën e standardeve evropiane brenda tre viteve të ardhshme, duke përmirësuar edhe më tej legjislacionin fiskal dhe reformën në drejtim të reduktimit të lejeve dhe licencave. "Ne kemi shpallur krijimin e disa parqeve industriale, ku dy më kryesoret (njëra në Durrës) priten të tenderohen në nëntor. Ju ftoj të merrni pjesë në këtë proces si dhe në tjera projekte që pritet të paraqiten nga qeveria". Ministri gjeti rastin të përmendte praninë e disa kompanive gjermane në Shqipëri, si koncesionari i Rinasit dhe "Deutsche Bank", si modelin e suksesit për investitorët e huaj. Për sa i takon problematikave, Ruli veçoi çështjen e pronave dhe sektorin e amortizuar energjetik, të trashëguar, sipas tij, nga sistemi i vjetër komunist. "Nuk duhet të na paragjykoni për problemet që duken në plan të parë. Vizitoni Shqipërinë, e cila ndodhet dy orë larg Berlinit dhe vendosni se ku doni të investoni. Asistenca jonë për investimet tuaja do të jetë falas dhe serioze", e përfundoi ministri fjalën e tij.

Disbalanca

Ajo që bie në sy dhe që u vçua nga ministri Olldashi është prezenca e bizneseve gjermane në Shqipëri, të cilat nuk janë në të njëjtën linjë me investimet e qeverisë gjermane. "kemi marrëdhënie të shkëlqyera me qeverinë gjermane dhe kjo duket të investimet. Por nuk shihet e njëjta situatë në sektorin privat".

Hartmut Schauerte

Sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale të Ekonomisë dhe Teknologjisë së Republikës Federale të Gjermanisë, Hartmut Schauerte, tha dje në konferencë se, "ka një interesim të madh të investitorëve gjermanë për të investuar në Shqipëri edhe në fushën e prodhimit termik dhe hidrik të energjisë, në porte, në përpunimin e mbetjeve urbane sipas standardeve të BE-së", etj.

Berisha-gjermanëve

"Do të ndërtoj 400 hidrocentrale"

Kryeministri Berisha ka gjetur rastin që të rikthejë në qendër të debatit çështjen e ndërtimit të centralit nuklear. Deklarata e radhës u bë dje gjatë Forumit Ekonomik Gjermani-Shqipëri, ku në prani të investitorëve gjermanë, Berisha paraqiti qëndrimin pro ndërtimit të nuklearit. "Shqipëria është një vend plot me ujëra dhe janë rreth 400 hidrocentrale të përmasave të ndryshme, që do të ndërtohen. Njëri prej tyre po ndërtohet nga një konsorcium, ku merr pjesë dhe ‘Deutsche Bank‘, në zonën jugore të vendit. Kompani të tjera të mëdha, gjithashtu, po tregojnë interes të madh në këtë drejtim. Ambicia e madhe e qeverisë që unë kryesoj është që ta shndërrojmë Shqipërinë në një superfuqi të vogël energjetike. Janë mbi 20 bilionë kilovat/orë ujëra për t‘u shfrytëzuar. Vendi ka lartësinë mesatare më të madhe në Evropë mbi nivelin e detit dhe gjithashtu ka një platformë ere mahnitëse. Ndaj, ne mbetemi të hapur për prodhimin e energjisë nukleare, si dhe për të gjitha format e tjera të energjisë", u shpreh kreu i qeverisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›