E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata administrative, afatet e gjykimit për bizneset

Ligji për krijimin dhe funksionimin e gjykatës administrative ka mbërritur këto ditë në zyrat e Kuvendit të Shqipërisë, ku pritet të diskutohet nga komisionet e posaçme parlamentare. Fillimi i punës për gjykatën administrative do të zgjidhë një sërë çështjesh që, për vite me radhë, biznesi dhe organet tatimore i kanë apeluar në shkallë të ndryshme të gjyqësorit. Thelbi i gjykatës, e ngritur posaçërisht për zgjidhjen e vendimeve administrative, jo vetëm për bizneset, është shkurtimi i afateve në marrjen e vendimit përfundimtar nga ana e gjykatësit.

Ligji

Duke iu referuar kreut III të ligjit, neni 12, çdo individ do të ketë të drejtë të ngrejë padi kundër një vendimi administrativ, por edhe vet shteti ka të drejtë që të kërkojë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me subjektet juridike dhe anasjelltas. Gjykata administrative nuk ka të drejtë të shqyrtojë çështje me karakter kushtetues, duke ia lënë në dorë institucioneve përkatëse të gjyqësorit. Bizneset mund ta çojnë çështjen për gjykim në ato raste kur e kanë humbur të drejtën në komisionin e apelimit në Drejtorinë e Tatimeve. Kjo vlen për vendimet administrative të tatimorëve ndaj biznesit. Në gjykatën administrative mund të ngrejë padi edhe një individ, i cili, për shkaqe të ndryshme, është gjobitur nga policia rrugore dhe se vendimi i marrë nuk i duket i drejtë.

Afatet

Thelbi kryesor i projektligjit të hartuar nga qeveria është shkurtimi i afateve të proceseve gjyqësore, që, për vite me radhë, kanë mbajtur peng vendimet administrative të Tatimeve ndaj biznesit. Kështu, padia kundër vendimit administrativ paraqitet në gjykatë brenda 45 ditëve, nga data kur subjekti privat është njohur me vendimin e komisionit të ankimimit në tatime dhe dogana (edhe në Komisionin e Policisë për gjobat e rrugorëve). Biznesi, përveç aktit administrativ, që kundërshton, nuk ka detyrim t‘i bashkëlidhë padisë akte provuese, por, nëse i paraqet ato, duhet të paraqesë edhe një kopje të tyre për të paditurin (në këtë rast inspektorin tatimor, pasi subjekti ka të drejtë të thërrasë në gjykatë cilindo që mendon se i ka shkaktuar dëmin). Më pas, gjyqtari, në përfundim të veprimeve përgatitore dhe jo më vonë se 10 ditë nga data e paraqitjes së padisë, nxjerr urdhrin për caktimin e seancës gjyqësore. Në seancë duhet të marrë pjesë edhe një ekspert i fushës, i cili do të bëjë shpjegimet e rastit të kërkuar si nga gjykatësi ashtu dhe nga palët. Lidhur me këtë pikë, për raste të ndryshme (të ndërlikuara) eksperti i lihen dhjetë ditë kohë për t‘u përgatitur. Për sa u takon provave, organi publik, pra/ institucioni shteti, brenda një afati të caktuar nga gjykata (pesë ditë) duhet të paraqesë provat ndaj palës paditëse, në rast të kundërt, titullarit i vendoset një gjobë 20 për qind mbi pagën minimale në shkallë vendi, për çdo ditë vonesë. Në ligj janë trajtuar edhe afatet për sa i takon ankimimit të vendimit të gjykatës dhe dërgimit të çështjes në Gjykatën e Apelit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›