Real Madridi befasohet: “Luajtëm si fëmijë”

Lojtarët e Realit të Madridit e ndiejnë se kanë bërë një gabim të madh pas humbjes në shtëpi me Getafen (0-1), duke e komplikuar shumë situatën në Ligën spanjolle. "Ata na shënuan golin si të ishim në një ndeshje fëmijësh katërvjecarë. Nuk mund të lejojmë të humbasim takime të këtij lloji", - deklaroi Guti pas ndeshjes, duke iu referuar golit të Getafes. Belenguer e rifuti në lojë shumë shpejt topin, pak sekonda pasi gjyqtari anuloi një gol të Arjen Robenit të Realit për pozicion jashtë loje. Gjysma e ekipit madrilen ishte duke përgëzuar holandezin kur lojtarët e Getafes shënuan golin. Drejtori Sportiv, Pedrag Mijatovic, pohoi se arbitri duhet ta kishte ndalur lojën, por kundërpërgjigjja e presidentit të Getafes, Angel Torres, i befasoi të gjithë: "Futbolli është një sport për njerëzit inteligjentë. Të thuash se Reali humbi për shkak të gjyqtarit është qesharake, pasi të gjithë në Spanjë e panë ndeshjen përmes televizionit". Trajneri i Realit të Madridit, Bernd Shuster, nuk pranoi të komentonte deklaratën e Gutit. Reali i Madridit, që ka pësuar tre humbje në katër ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet, tashmë ka vetëm dy pikë më shumë se Barcelona e vendit të dytë.