Mbreti Real

Real Madrid është konfirmuar Mbret i Spanjës, pasi e mposhti Barcelonën të mërkurën mbrëma në finale të ‘Copa del Rey’ (Kupa e Mbretit) me rezultat 1:0, në një ndeshje të jashtëzakonshme dhe dramatike, e cila u zhvillua në stadiumin ‘Mestalla’ të Valencias.
Madrilenët e kanë siguruar fitoren vetëm pas vazhdimeve 2x15 minuta, pasi që loja e rregullt ka përfunduar me rezultat të bardhë, 0:0. Jose Mourinho ka aplikuar lojë defanzive, duke e futur në lojë Cristiano Ronaldon e vetëm në sulm.
Pjesa e parë ka qenë e baraspeshuar. Atë e karakterizoi vetëm rasti i mesfushorit madrilen, Pepe (harkoi Ozil), i cili pas një gjuajtjeje me kokë, goditi vetëm shtyllën.
Pjesa e dytë i ka takuar plotësisht katalunasve, të cilët përpos kontrollit të lojës, patën edhe disa raste të qindpërqindta me Messi, Iniesta e Pedro, por portieri Iker Casillas u tregua një hero i vërtetë.
Ekipi i Pep Guardiolës ka qenë dominues edhe në vazhdime, por strategjia e ‘Los Blancos’ funksionoi për mrekulli – mbrojtje e çeliktë dhe kundërsulme të rrezikshme.
Kjo taktikë solli fryt dhe në minutën e 103-të, Angel Di Maria nga e majta harkoi për mrekulli për Cristiano Ronaldon, i cili me kokë e mposhti portierin në formë, Pinto.
Në vazhdim, katalunasit u munduan t’i barazonin shifrat, por kot. Reali vazhdoi të mbrohej me të gjitha forcat, por rrezikoi seriozisht me Ronaldon e Adebayorin.
Duhet cekur se argjentinasi Di Maria, i cili e pati një rast të mirë në vazhdime, u ndëshkua me karton të kuq në minutën e fundit, pas dy të verdhëve.
Me këtë gol, Ronaldo e barazoi Messin me gola në ‘Copa del Rey’ këtë sezon, 7 sosh. Për herë të fundit, Reali e fitonte këtë trofe 17 vjet më parë.
Këto dy skuadra do të takohen edhe dy herë brenda dy javëve të ardhshme, në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Në fund, kapiteni Iker Casillas e ngriti kupën lart, pas një loje të jashtëzakonshme, të cilën dinë ta dhurojnë vetëm këto dy skuadra kur takohen në mes vete.