E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reali është përmirësuar

Ylli i Barcelonës, Lionel Messi thotë se rivali Real Madrid është përmirësuar për dallim nga viti i kaluar dhe pret që ai të paraqesë kandidaturë më serioze për titull në La Liga. Por, ai insiston se edhe gjiganti katalan ka sjellë përforcime, ndërsa mendon se loja e mirë e skuadrës është rezultat i raporteve të mira mes futbollistëve, që njihen mes vete tashmë disa vite.

Ylli i Barcelonës, Lionel Messi ka thënë se është impresionuar gjatë këtij sezoni nga rivali i tyre kryesor nga La Liga, Real Madridi dhe thekson se ai është përmirësuar për dallim nga viti i kaluar.

Gjiganti madrilen aktualisht kryeson në La Liga dhe ka një pikë epërsi ndaj Barcelonës. Reali kishte përfunduar i dyti sezonin e kaluar dhe shpenzoi mbi 60 milionë euro në transferimin e përforcimeve si Fabio Coentrao, Nuri Sahin, Raphael Varane dhe Hamit Altintop.

Tani Messi mendon se skuadra e Jose Mourinhos është në formë të mirë për të konkurruar për titull. “Real Madridi ka përforcuar mjaft mirë ekipin gjatë verës. Ata pa dyshim synojnë të arrijnë më tepër se vitin e kaluar dhe e kanë bërë këtë deri më tani”, tha Messi për të përditshmen sportive spanjolle Marca.

“Ata janë zhvilluar mjaft nga gushti dhe janë skuadër më e mirë se sezonin e kaluar”, shtoi ylli argjentinas.

Megjithatë, Messi ka theksuar se edhe gjiganti katalan ka shënuar përmirësime. “Edhe ne jemi përforcuar gjatë verës dhe jemi përmirësuar po ashtu. Është shumë me rëndësi që përshtatemi si ekip, nuk është lehtë të keni një grup të futbollistëve që luajnë kaq mirë. Ka vite që njihemi mes vete dhe gjithmonë përshtatemi me njëri-tjetrin. Kjo është arsyeja pse jemi paraqitur aq mirë”, vazhdoi ai.

Pasi realizoi golin e tij të 200-të për klubin në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Viktoria Plzenit të martën, Messi tani do të ndjekë rekordin e Cesar Rodriguezit prej 235 golave për Barcelonën. Por, ai thotë se nuk është i përqendruar vetëm rreth kësaj dhe nuk ngutet për të arritur Rodriguezin.

“Ndihem shumë mirë fizikisht, i fuqishëm për të luajtur në sa më tepër ndeshje që është e mundur, sikurse vitin e kaluar. Nuk synoj të thyej rekordin këtë vit. Shpresoj ta bëj një ditë duke pasur parasysh se do të mbetem këtu për pjesën e mbetur të karrierës time”, përfundoi Messi.

Argjentinasi 24 vjeç konsiderohet favorit për të fituar Topin e Artë për vitin e tretë të njëpasnjëshëm. Sezonin e ri e filloi ashtu siç kishte përfunduar të kaluarin, duke realizuar gola të shumtë. Në 10 xhirot e deritashme në La Liga, Messi ka shënuar 13 gola, ndërsa në katër përballje të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve ka realizuar pesë herë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›