Fshatarët që bojkotuan zgjedhjet, përsëri në protestë
Fshatrat e Portëzës, të cilët bojkotuan zgjedhjet e 28 qershorit, janë hedhur në protestë. Rruga që i çoi banorët e Portëzës drejt vendimit për të mos votuar, i ka shtyrë sërish për të protestuar. Por, sipas banorëve mësohet se edhe furnizimi me ujë të pijshëm si dhe energjia me tension të ulët shihen si faktorë të rëndësishëm jetësorë që vijnë të cunguar ose mungojnë dhe e çojnë komunitetin në protestë. Banorë të fshatrave Plyk dhe Kraps në Komunën Portëz të Fierit kanë protestuar paraditen e së enjtes në lidhje me gjendjen e vështirë të rrugës nacionale Fier-Kraps, rrugë kjo rreth 12 km e gjatë. Por, jo vetëm rruga i ka nxjerrë banorët në protestë. Sipas tyre, edhe mungesa e ujit të pijshëm, si dhe ajo e energjisë elektrike, janë dy faktorë më shumë për të protestuar. Rreth 200 protestues janë mbledhur në qendër të fshatit Plyk me pankarta në duar, ku i kërkohej qeverisë ndërhyrje dhe jo mashtrim për gjendjen në të cilën ndodhen 2 mijë banorët e këtyre fshatrave. Banorët e këtyre dy fshatrave nuk lejuan që më 28 qershor qendrat e votimi të hapeshin në fshatrat e tyre. Vendimi i marrë nga burrat e fshatit përfshiu edhe komisionerët e zgjedhjeve, të cilët tashmë po përballen me një proces gjyqësor për braktisje të detyrës.
#