Shefki Kuqi kërkon të qëndrojë tek Ipsuiç
Shefki Kuqi synon që të mbetet lojtar i Ipsuiç Taun. Sulmuesi 31-vjeçar ka shprehur dëshirën për t‘iu përkushtuar klubit të rrugës Portman dhe tha: "Nuk ka asnjë skuadër tjetër si kjo". Ai zbuloi se fillimisht e kishte të vështirë të gjente motivimin për të luajtur për Ipsuiç, pasi ishte larguar me parametër zero nga ky klub në qershor të vitit 2005: atë vit Kuqi ishte shndërruar në një idhull, pasi me 20 gola të realizuar ndihmoi skuadrën që të arrinte në "play-off"-in e Çempionshipit. Momentalisht, kosovari është dhënë në formë huazimi nga Krstal Palas deri në fund të edicionit, por Kuqi nuk do të rikthehet te skuadra që zotëron kartonin e tij. Që prej 14 marsit kur është kthyer te Taun, sulmuesi që përfaqësohet me kombëtaren finlandeze, ka luajtur vetëm 50 minuta për shkak të problemeve muskulore, por kaq i ka mjaftuar që të konfirmojë se tifozët blu vazhdojnë ta duan. "E dashuroj këtë vend", u shpreh Kuqi entuziast. "Janë pikërisht njerëzit që punojnë këtu dhe tifozët ata që e bëjnë kaq special. Kur luaja me Bllekbërnin në Premiership ia kalova shumë mirë, por ai ambient nuk mund të krahasohet me këtë tek Ipsuiç".