E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reali i Madridit, në Evropë duhet të zgjedhë ndërmjet Huntelar ose Diarra

Reali i Madridit e sheh veten me kontingjent të kompletuar në kampionat, por stafi teknik duhet të zgjedhë se cili prej dy blerjeve të tyre të shtrenjta do të luajnë në Ligën e Kampioneve. "Merengues" mund të regjistrojnë vetëm njërin, ndërmjet Klas-Jan Huntelar dhe Lasana Diarra për pjesën e mbetur të aktivitetit evropian. Lojtarët do të transferohen zyrtarisht në "Santiago Bernabeu" vetëm në muajin janar, pasi kampionët në fuqi të La Ligas shpenzuan 40 milionë euro për të siguruar shërbimet e tyre. Sipas gazetës madrilene "Marca", Huntelar dhe Diarra do të mbulojnë mungesat në skuadrën e Huande Ramos, por Reali mund të jetë treguar i pavëmendshëm ndaj rregullores së UEFA-s, për kompeticionet kontinentale. Gjatë këtij sezoni, si sulmuesi ashtu edhe mesfushori janë aktivizuar në Kupën UEFA, respektivisht me Ajaksin dhe Portsmuth, e tashmë klubi duhet të vendosë se cili do të luajë në sfidat ndërkombëtare dhe cili jo. Sipas nenit 17.17 në rregulloren e lojës "klubet mund të regjistrojnë vetëm tre lojtarë të rinj për edicionin në vazhdim. Afati përfundimtar është data 1 shkurt 2009". Por, në nenin pasardhës, 17.18, për të cilin në Madrid duhet të shqetësohen më shumë citohet: "Nëse të tre lojtarët kanë luajtur në aktivitetet e UEFA-s në sezonin aktual me një skuadër tjetër, atëherë vetëm njëri prej tyre do të mund të regjistrohet, me kushtin e vetëm, që klubi i tij i mëparshëm të mos jetë eliminuar nga e njëjta kupë ku militon ekipi aktual". Kjo nënkupton që vetëm Huntelar ose Diarra mund të aktivizohen në Champions dhe "Marca" ngre pyetjen nëse klubi e kishte parasysh këtë rregull kur bleu kartonin e tyre.

Ndërkohë, Reali vazhdon të mendojë për merkaton, ku synohet afrimi i një mesfushori krahu. I preferuari i teknikut Ramos është Ashli Jang, i cili militon në radhët e Aston Vilës. Drejtuesi i stolit i ka paraqitur drejtuesve të klubit kërkesën për afrimin në janar të 23-vjeçarit. Sipas tabloidit britanik, "Daily Star", ish-trajneri i Totenhemit është një prej admiruesve të Jang dhe beson se me këtë lojtar në "Santiago Bernabeu" mund të pretendojnë të jenë në garën për titull. Gjithsesi, krerët e Realit nuk duken të gatshëm të paguajnë 25 milionë sterlina (26,1 milionë euro), për një lojtar të pakonfirmuar si Jang.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›