E Diel, 1 Nëntor 2026

Reali i frikshëm, por Barça nuk lëshon pe

Madrilenët vazhdojnë të shfaqen të papërmbajtshëm në javët e fundit të kampionatit. “Preja” e radhës ishte Tenerife, që nuk i ka bërë dot ballë furisë “galaktike”. 5-1 ishtë rezultati përfundimtar i kësaj ndeshjeje dhe për pak minuta Reali e pa veten në krye të La Ligës me një pikë më tepër se Barcelona.

Serinë e goleadës e hapi Gonzalo Higuain në minutën e 29-të. Sulmuesi argjentinas dyfishoi tre minuta para fundit të pjesës së parë, duke e çuar ekipin e Manuel Pelegrinit në dhomat e zhveshjes me epërsinë e dy golave. Me fillimin e fraksionit të dytë vendasit shkurtojnë diferencën, por më pas është Kaka, Ronaldo me penallti dhe Raul që vulosin rezultatin përfundimtar.

Vetëm pak minuta pas suksesit të “galaktikëve” ka qenë radha e katalanasve të kryenin ritualin. E në fakt, megjithëse vuajtën në fushën e lojës, të besuarit e Pep Guardiolës ia dolën të arrijnë te tri pikët përballë Malagës. Leo Mesi shpëtoi ekipin e tij gjashtë minuta para fundit, pasi më parë kishin shënuar Pedro për vendasit dhe Valdo për miqtë. Në këtë mënyrë, distanca midis dy gjigandëve vazhdon të mbetet dy pikë në favor të Barcelonës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›