E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërhyrja ndaj Ramseit, Venger-Fabregas: E papranueshme!

Mesfushori uellsian theu këmbën dje në një duel me Rajan Shoukros, që nga shumë analistë u përkufizua si njëri ndër duelet më të ashpra të dekadës. Për ironi të fatit, menjëherë pas ndeshjes, mbrojtësi i Stoke Sitit mori ftesën nga trajneri i kombëtares angleze, Fabio Kapelo, për miqësoren me Egjiptin.

Në përfundim të sfidës së fituar nga “Topçinjtë” me rezultatin 1-2, trajneri Venger u shpreh: “Jam krenar për lojtarët e mi, zhvilluam një betejë të pabesueshme që nga minuta e parë dhe pas kësaj fitoreje jemi të qetë. Por jam i mërzitur për Ramsein. Ishte një dëmtim shumë i rëndë, ai tani është në spital dhe nuk e dimë sa muaj do të qëndrojë jashtë”.

Më tej trajneri francez shtoi: “Nuk jam aspak i kënaqur me ndërhyrjen. Është lojtari i tretë që pëson të njëjtin dëmtim: Diabi, Eduardo dhe tani Ramsei. Gjatë gjithë lojës pati ndërhyrje të rënda. Neve nuk na pëlqen loja fizike dhe ja rezultati. Është e papranueshme”.

Në të njëjtën ide ishte edhe kapiteni Çesk Fabregas: “Në pesë vitet e mia këtu kam parë tre dëmtime të tilla: në fillim Abu Diabi, pastaj Eduardo dhe tani Ramsei. Nuk di të them tjetër gjë, përveçse futbollistët e Arsenalit janë plotësisht të pambrojtur”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›