E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reali, jo merkato në janar. Kalderon: Jemi të kompletuar

Nga Altin Latifi
Presidenti i Realit të Madridit Ramon Kalderon ka deklaruar se klubi i tij nuk do të hyjë në merkato në muajin janar, duke befasuar kështu tifozët e tij. Reali bëri vetëm një blerje në muajt e verës dhe tifozët presin më shumë shpenzime në janar. Gjithsesi, Kalderon siguroi se kjo nuk ka lidhje me krizën ekonomike botërore. 

Presidenti i Realit të Madridit Ramon Kalderon nuk ka ndërmend të shpenzojë asgjë në merkaton e janarit për të marrë futbollistë. Kreu i kampionëve të Spanjës deklaroi se klubi i drejtuar prej tij është shumë i shëndoshë nga ana financiare, por sipas tij, skuadra është duke funksionuar mjaft mirë edhe kështu. “Kemi një skuadër të kompletuar për këtë sezon dhe nuk na duhen të tjerë. Për vitin e ardhshëm është një histori tjetër, që do ta vendosin drejtorët sportivë se çfarë na duhet”, tha Kalderon për Reuters gjatë një vizite në Londër. Fjalët e tij janë jo pak befasuese për tifozët, duke qenë se fushata e blerjeve në verën e vitit 2008 nuk ishte nga më të pasurat. Reali u përpoq gjithë verën të merrte Kristiano Ronaldon, por në fund u kënaq vetëm me marrjen e Rafael Van Der Vart nga Hamburgu për 15 milionë euro. Një tjetër lojtar i blerë ishte argjentinasi Ezkuel Garai, por ai do të qëndrojë edhe këtë vit te Rasing Santander. I pyetur nëse kriza ekonomike globale do të prekë financat e Realit të Madridit, Kalderon deklaroi se aftësia kredituese e klubit shkon në 120 milionë euro. Sipas tij, kriza ka një rol shumë të vogël, pasi klubi madrilen është i mbrojtur nga kontratat e majme të marketingut dhe të të drejtave televizive. “Mendoj se të gjithë do të preken nga situata aktuale, por për fatin tonë Reali është i administruar shumë mirë”, tha ai. Vetëm dy minuta para mbylljes së merkatos verore, Reali i Madridit mori 51 milionë dollarë nga anglezët e Mançester Sitit për shitjen e Robinjos. (a.r/balkanweb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›