E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: Rama e Berisha po mbajnë peng reformat e vendit

Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun të LSI, Luan Rama ka deklaruar sot se konsensusi politik midis PS dhe PD po mban peng në mënyrë të qëllimtë reforma të rëndësishme për vendin. 

TIRANË - Lëvizja Socialiste për Integrim, nëpërmjet Sekretarit për Marrëdhënie me Publikun Luan Rama, ka shprehur shqetësimin se konsensusi politik midis lidershipit të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste po mban peng në mënyrë të qëllimtë reforma të rëndësishme për vendin. “Bashkëfajësia në deformimin e Kushtetutës paralajmëroi gjithçka që po ndodh aktualisht dhe që ka të bëjë me sulme të qëllimta dhe të organizuara të mazhorancës mbi prokurorinë dhe mbi organet e drejtësisë, që frymëzohen nga afera korruptive dhe që synojnë eliminimin e pavarësisë së këtyre organeve dhe shndërrimin e tyre në instrumente të imponimit të pushtetit”, tha Luan Rama.
Më tej ai shtoi se LSI bashkohet me shqetësimin e shprehur nga gjyqtarët, prokurorët, noterët dhe avokatët, në debatin e hapur nga Transparenc International Albania. “I ftojmë dhe i inkurajojmë ata të vazhdojnë përpjekjet dhe luftën e tyre për të mbrojtur pavarësinë e organeve të sistemit të drejtësisë, si një nga kolonat themelore që dëshmon funksionimin dhe veprimin e shtetit të së drejtës në një shoqëri demokratike”, theksoi sekretari për Marrëdhëniet me Publikun të LSI.
Në përfundim të deklaratës së tij, Luan Rama i ka kërkuar kryetarit të PS të distancohet nga konsensusi politik apo nga konsensusi i së keqes me Berishën, i cili po mban peng reformat e mëdha të zhvillimit të mëtejshëm të vendit. “Dua t’ju kujtoj që detyrimi për të realizuar reformën në drejtësi dhe reformën e zgjedhjeve është i mbartur që nga koha para marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO në samitin e Bukureshtit, është premtuar disa herë se do të përmbusheshin këto detyrime, por ato vazhdojnë të jenë peng i konsensusit korruptive midis lidershipit të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike”, përfundoi Rama në emër të LSI.
(a.s/Balkanwb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›