Reali, mbret i parave

Real Madridi është klubi më i pasur në botë. Me 479.5 milionë euro të hyra gjatë sezonit 2010/11, gjiganti madrilen për vitin e shtatë me radhë kryeson renditjen e Deloite Football Money League.
Kurse, sipas parashikimeve të Deloitte, Reali vitin e ardhshëm do të barazojë qëndrimin tetëvjeçar të Manchester Unitedit në krye të kësaj renditjeje. Rivali i përjetshëm i Realit, Barcelona gjendet e dyta para Manchester Unitedit, që është i treti. Bayern Munich, Arsenal dhe Chelsea kompletojnë gjatë pozitat e para.
Top shtatëshja ka mbetur e pandryshuar nga viti i kaluar. Të gjitha 20 klubet në listë vijnë nga “pesëshja e madhe” e ligave evropiane. Anglia ka gjashtë përfaqësues; Italia, pesë; Gjermania, katër; Spanja, tri dhe Franca ka ngelur në dy. Nëntë prej 20 klubeve kanë shënuar rritje dyshifrore të përfitimeve nga 2010/’11.
Edhe pse shtatë prej tyre kanë pësuar rënie, autorët kanë arsyetuar këtë në bazë të paraqitjeve më të dobëta në fushë, duke shkaktuar rënie në shitjen e biletave dhe marketing në vend të efektit të krizës globale financiare. Marrëveshja e Barcelonës me Qatar Fontation për reklamim në fanellë vlen rreth 30 milionë euro në sezon, sipas raportit.
Kjo, e kombinuar me 3.5 milionë eurot e fituara nga triumfi në Kampionatin botëror të klubeve, mund t’i mundësojë gjigantit katalan t’i afrohet rivalit të saj, Realit, në renditjen e vitit të ardhshëm, ka sugjeruar Deloitte. Të dy klubet më të mëdha spanjolle janë duke iu afruar të hyrave prej 500 milionë eurosh dhe mund edhe të tejkalojnë këtë shifër në vitin e ardhshëm.
Klubi gjerman Schalke është ngritur për gjashtë pozita në të 10-ën, pas paraqitjes së mirë në edicionin e kaluar të Ligës së Kampionëve, ku arriti deri në gjysmëfinale. Megjithatë, në raportin e vitit të ardhshëm, Schalke do të tejkalohet në top 10-she nga Manchester City, që, sipas autorëve, ka përmirësuar gjendjen financiare nga pjesëmarrja e sivjetme në Ligën e Kampionëve.
Top 10 klubet më të pasura në botë:
1. Real Madrid: 479.5 milionë euro
2. Barcelona: 450.7
3. Man Utd: 367
4. Bayern Munich: 321.4
5. Arsenal: 251.1
6. Chelsea: 249.8
7. AC Milan: 235.1
8. Internationale: 211.4
9. Liverpool: 203.3
10. Schalke: 202.4