Reali në "kaos", Mijatoviç rrezikon
Huande Ramos synon të regjistrojë Lasana Diarranë si lojtarin e vetëm të Realit të Madridit, që do të luajë në Ligën e Kampionëve krahas atyre që kanë luajtur deri tani. Por punëdhënësit e tij te Reali janë të vendosur që ky vend duhet t'i takojë Klas Jan Huntelarit. Shumica dërrmuese e tifozëve të klubit madrilen kanë dëshirë që këtë vend ta zërë holandezi, sepse është sulmues dhe mund të shënojë gola për skuadrën. Megjithatë, Huande Ramos ka mendim të kundërt, por nuk ka mbështetje në klub. Ramos beson se mungesa e Rud Van Nistelroit nuk krijon aq shumë probleme sa mungesa e Mahamadu Diarrasë, por në klub nuk e mendojnë kështu. Por ekziston edhe një opsion i tretë, që Reali i Madridit t'i kërkojë UEFA s të ndryshojë rregullat dhe të lejojë që të regjistrohen të dy futbollistët ,duke qenë se asnjëri prej tyre nuk ka qenë vendimtar në këtë kompeticion këtë sezon për skuadrat e tyre të mëparshme. Nëse UEFA pranon, do të ketë reagime të ashpra nga Liverpuli, kundërshtari i radhës i Realit të Madridit në Ligën e Kampionëve. Sipas gazetës "El Mundo Deportivo", një zyrtar i lartë i Realit, që ka dashur të mbetet anonim, ka thënë: "Edhe tani dukemi qesharakë. Nëse i bëjmë kërkesë UEFA s, do të dukemi dyfish qesharakë. Më mirë të mos bëjmë asgjë. Nuk është çështja te ligji, se a është i drejtë apo jo, pasi ne duhet ta kishim marrë me mend përpara se t'i blinim këta lojtarë."
MIJATOVIÇ - Bordit të drejtorëve të Realit të Madridit po i soset durimi me blerjet e drejtorit sportiv, Pedja Mijatoviç. Pas pengesës së fundit në lidhje me regjistrimin në Ligën e Kampionëve të Klas Jan Huntelarit dhe Lasana Diarrasë, Pedja Mijatoviç ndoshta mund t'i japë lamtumirën njëherë e përgjithmonë Bernabeut. Ka zëra për një pakënaqësi në rritje në bordin e Realit, të cilët nuk janë të kënaqur nga puna e malazezit, por aleati i tij i fundit duket se është vetë presidenti i klubit, Ramon Kalderon, sepse Mijatoviçi ka qenë pjesë e suksesit të tij në zgjedhjet për president. Në të vërtetë, Kalderon mund të kthehet kundër Mijatoviçit vetëm nëse rrezikohet posti i tij. Përveç dështimit të fundit, ka edhe incidente të tjera që e vënë në pozitë të vështirë Mijatoviçin. Dështimi më i madh i Realit deri tani është mungesa e blerjeve të mëdha, edhe pse janë premtuar lojtarë si Fabregas, Kaka dhe Kristiano Ronaldo. Një dështim që do të mbetet gjatë në kujtesë, ishte mosblerja e Rikardo Oliveiras dy vjet më parë. Mes Realit të Madridit dhe Milanit kishte një marrëveshje, por Mijatoviçi nuk e kishte ditur se FIFA e ndalon që një lojtar të luajë për më shumë se dy klube në një sezon, duke qenë se Oliveira kishte luajtur për Realin e Betisit. Bordi i Realit është i shqetësuar se mos Mijatoviçi nuk e ka mbyllur ende çështjen e largimit të ish trajnerit Bernd Shuster. Shusteri po kërkon 7 milionë euro për largimin, por Mijatoviçi ende nuk e ka mbyllur këtë çështje dhe nuk po përqendrohet dot në çshtjet më urgjente për gjigandët spanjollë.