Reali pushton Barcelonën

Real Madridi mposhti Barcelonën 2-1 në Nou Camp dhe bëri një hap të madh drejt titullit të kampionit në La Liga. Gjiganti madrilen arriti fitore të madhe e cila u krijon shtatë pikë epërsi ndaj katalanëve, katër ndeshje para fundit.
Skuadra e Jose Mourinhos ndërpreu serinë prej 54 ndeshjeve pa humbje të Barcelonës në Nou Camp, dhe e bëri këtë në momentin më vendimtar. Reali kaloi në epërsi në minutën e 17-të kur mesfushori Sami Khedira shfrytëzoi një huti të portierit Victor Valdes dhe mbrojtësit Carles Puyol duke realizuar nga afërsia.
Dhjetë minuta më vonë, Barcelona pati rast të mirë të barazojë rezultatin kur Lionel Messi asistoi për Xavin, i cili megjithatë nuk arriti ta dërgojë topin në rrjet kur përball vetes kishte vetëm portierin Iker Casillas. Pjesa e parë përfundoi me epërsinë e Realit.
Por, ajo e dyta filloi me insistimin e Barcelonës për të barazuar rezultatin sa më parë që është e mundur. Për ta bërë këtë, skuadra e Pep Guardiolas u desh të pret deri në minutën e 70-të kur zëvendësuesi Alexis Sanchez realizoi nga afërsia. Por, vetëm tre minuta më vonë, Cristiano Ronaldo riktheu epërsinë e Realit duke mposhtur Valdesin pas një super asistimi nga Mesut Ozil (i 15-ti i tij gjatë këtij sezoni).
Në minutat e mbetura, Reali administroi rezultatin kurse Barcelona nuk pati ndonjë rast tjetër për të dalë së paku e pamposhtur nga rivali i përbetuar. Ronaldo, me golin e fitores u shkëput nga Messi në listën e golashënuesve më të mirë në La Liga.
Portugezi, tani gjendet në kuotën e 42 golave, një më tepër se argjentinasi. Kurse, Mourinho bëri atë që në të kaluarën e kishte konsideruar si “të pamundur”, fitoi në Nou Camp me Realin.
Xavi, rekordmen i paraqitjeve në El Clasico
Mesfushori i Barcelonës, Xavi shënoi rekord të paraqitjeve në El Clasico duke filluar ndeshjen si titullar kundër Real Madridit në Nou Camp. Mesfushori 32 vjeç, ka thyer rekordin e ndarë nga mbrojtësi i Barcelonës, Joan Segarra dhe legjendat e Realit, Raul dhe Paco Gento duke bërë paraqitjen e tij të 32-të përball rivalit të përbetuar.
Reali, theu rekordin e golave në La Liga
Me golin e epërsisë të realizuar nga mesfushori Sami Khedira, Real Madridi theu rekordin për numrin e golave të shënuar brenda një sezoni në La Liga. Shënimi i reprezentuesit gjerman, ishte goli i 108-të i gjigantit madrilen gjatë këtij sezoni duke tejkaluar rekordin e kaluar prej 107 sosh të realizuar nga skuadra madrilen në edicionin 1989-90.