E Diel, 1 Nëntor 2026

Reali refuzon elsin per sulmuesin Gonzalo Higuain

Reali i Madridit nuk ka asnjë lojtar të tepërt, edhe pse skuadra e Murinjos po pëlcet nga shëndeti. Një sezon që pritet të jetë shumë i ashpër dhe i ngarkuar bëri që klubi spanjoll të hidhte poshtë një ofertë tepër të madhe të Çelsit të Londrës për Gonzalo Higuainin. Ishin plot 40 milionë euro të ofruara nga blutë e Londrës, por as këto nuk ishin të mjaftueshme për të bindur Zhoze Murinjon që të privohej nga njëri prej sulmuesve të tij më të mirë. Gazeta “Marka” njofton se kjo ndodhi në janar të këtij viti, pra gjatë periudhës së fundit të transferimeve.
Nuk besohet që Çelsi të jetë dorëzuar, pasi Roman Abramoviç dhe trajneri i tij Andre Vijas Boas do të kthehen sërish për të trokitur në verë në dyert e Realit. Mësohet se jo vetëm Murinjo, por edhe drejtues të tjerë të klubit madrilen, nuk kanë dashur të pakësojnë forcën e skuadrës, e cila po lufton për titullin kampion, por edhe për Championsin, në një sezon që pritet të jetë shumë i ngarkuar. Ekziston frika se dëmtimet dhe pezullimet mund ta dëmtojnë skuadrën në momente vendimtare, ndaj të gjithë lojtarët janë shumë të nevojshëm.
Ndërkaq, Mesut Ozil, ylli i vërtetë i mesfushës së “merengesve” ka deklaruar se kritikat që janë bërë ndaj tij këtë sezon i kanë bërë mirë, duke e ndihmuar të arrijë formën e shkëlqyer që ka aktualisht. “Nuk synoj që të bëj figurë të mirë në media, por të luaj sa më mirë në fushë, - shprehet Ozil, intervistuar nga mediat gjermane, por cituar nga “Marka”, - përsa i përket Murinjos, trajneri flet shumë me mua dhe më mbështet. Kjo më ndihmon që të përmirësohem”. Ozil ka treguar një formë të shkëlqyer në ndeshjen e dytë të Kupës ndaj Barcelonës, por edhe në fitoren ndaj Saragozës në “Bernabeu” në kampionat.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›