E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reali s’ka nevojë për përforcime

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka thënë se është i kënaqur me ekipin që ka aktualisht në dispozicion dhe insistoi se nuk ka nevojë të sjellë përforcime gjatë afatit kalimtar të janarit.

Strategu portugez deri më tani gjatë këtij sezoni ka udhëhequr gjigantin madrilen drejt kreut të tabelës në La Liga dhe grupit D në Ligën e Kampionëve, ndërsa është në seri pozitive prej nëntë fitoreve të njëpasnjëshme.

Me fuqi, kualitet dhe opsione për çdo pozitë, ish trajneri i Interit theksoi se nuk ka nevojë për përforcime në Vitin e Ri. “Nuk dua asnjë përforcim gjatë afatit kalimtar dimëror”, tha Mourinho për të përditshmen sportive spanjolle Sport.

“Në asnjërin repart, sulmues ose mbrojtës. Ne e njohim ekipin tonë e po ashtu edhe alternativat”, u shpreh Mourinho. Një lajm i mirë për portugezin, por edhe gjithë tifozët e Realit, është rikuperimi i plotë i mesfushorit turk Nuri Sahin, i cili u transferua në Santiago Bernabeu gjatë afatit kalimtar të verës nga kampioni aktual i Bundesligës, Borussia Dortmund.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›