E Diel, 1 Nëntor 2026

“Mbyllen bizneset që deklarohen dy vjet me humbje”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Diskutimi i ligjit “Për falimentimin” dhe ai “Për procedurat tatimore” kanë rikthyer debatet e ndezura mes socialistëve dhe mazhorancës. Deputetët e PS-së nuk ishin dakord me kalimin e këtyre projektligjeve në Kuvend dhe braktisën seancën plenare. Në emër të Grupit Parlamentar, Valentina Leskaj e ka cilësuar mbërritjen e këtyre ligjeve në Kuvend të pakonsultuara më parë me grupet e biznesit ndërkohë që ligjin “Për falimentin” e ka konsideruar si të nxituar dhe me impakte negative. Ligji detyron nisjen e procedurave të falimentimit për shoqëritë, që konstatohen se prej dy vjetësh nuk kanë aftësi paguese. Por për herë të parë, ligji çon në falimentim edhe ato biznese, të cilat, ndonëse kanë aftësi paguese, për t u shpëtuar detyrimeve tatimore, deklarojnë bilance me humbje, një rast ky i ndeshur shpesh në Shqipëri edhe nga kompani të mëdha. Pavarësisht largimit të deputetëve të PS-së, seanca plenare ka vazhduar me diskutimet e përfaqësuesve të mazhorancës dhe të pjesës së mbetur të opozitës.
Debatet
Deputetët e PS-së braktisin seancën plenare duke kërkuar shtyrjen e diskutimeve për ligjin e falimentimit dhe atë të procedurave tatimore. Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, tha se ligjet kanë ardhur në seancën parlamentare pa u diskutuar me biznesin. Kjo kërkesë u përsërit dhe nga deputeti socialist Arben Malaj, ish-ministër i Financave në qeverisjen e PS-së. Sipas tij, ndryshimet e bëra gjatë diskutimit në komisione nuk janë konsultuar me grupet e interesit. Malaj, i cili është njëkohësisht nënkryetar i Komisionit të Ekonomisë, tha se miratimi i këtij ligji i jep pushtet absolut qeverisë ndaj biznesit në përshpejtimin e falimentimit. Por këto argumente u hodhën poshtë nga përfaqësuesit e mazhorancës. Lidhur me ligjin "Për falimentimin”, ministri i Drejtësisë, Enkeled Alibeaj, u shpreh gjatë seancës, se në 6 vjet nuk ka ndodhur që asnjë biznes të jetë në gjykata për procedurën e falimentimit. “Projektligji "Për falimentimin" i jep të gjitha garancitë e duhura biznesit për të rishikuar edhe mundësinë e rifillimit të biznesit, por përcakton afate të limituara të posaçme për të iniciuar një procedurë falimentimi. Projektligji është hartuar me asistencën e Bankës Botërore dhe përcakton në detaje të gjitha të drejtat dhe detyrimet e biznesit në procedurën e falimentimit”, - tha Alibeaj. Sipas tij, në projektligj është futur edhe funksionimi i një hallke tjetër administrative, i cili është administratori i falimentimit, që njeh gjendjen ekonomike të biznesit dhe ofron të gjitha mundësitë për ringritjen e tij. Ndërkohë që kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, tha se përgatitja e këtij projektligji është ndërmarrë pasi në treg shumë kompani, duke marrë borxhe tek njeri-tjetri, rrezikojnë të fshehin situatën e tyre, si dhe të mund të përballen me procesin e falimentimit zinxhir. Në rastet e kompanive me bilance negative, në një afat kohor prej më shumë se një vit, me rregullimet që do t i bëhen këtij ligji, pritet që të bëhet efektiv falimentimi, pasi ato nuk do të mund të pranohen nga bankat për marrje kredie apo borxhe tek njeri-tjetri. Ligji "Për falimentimin" është hartuar në mes të viteve 90-të, por deri sot, asnjë kompani nuk është shpallur e falimentuar në bazë të tij, çka ka bërë të nevojshme rishikimin e tij.

Ky lajm është publikuar: 16/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›