E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pagat e pensionet, sa do të rriten më 1 korrik

Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Qeveria ka vendosur përfundimisht të rrisë pagat e pensionet më 1 korrik, ashtu siç edhe kishte premtuar më parë. Ajo që e bën këtë rritje të rëndësishme, është se do të jetë më e lartë sesa rritja e inflacionit.
Ministri i Financave, Ridvan Bode bëri dje publik vendimin, i cili bie në kundërshtim me këshillat më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, por pa dyshim do të mirëpritet nga kategoritë përfituse, siç janë punonjësit e administratës dhe buxhetorët.
Deklarata e Bodes
“Qeveria ka deklaruar se do të rrisë pagat dhe pensionet me ritme më të larta. Për katër vjet do të dyfishojmë pensionet dhe pagat e ulëta. Më 1 korrik do të kemi rritje që do të jetë shumë më tepër se sa inflacioni. Ne vazhdojmë të jemi në mbështetje të konsumatorit”, u shpreh Bode. Shefi i Financave thotë se Shqipëria nuk është në krizë, pasi norma e inflacionit është dukshëm më e ulët nga vendet e tjera të rajonit. Ndaj, Ministri i Financave gjykon se rritja e pagave dhe pensioneve nuk do të provokojë inflacion më të madh, por përkundrazi do të mbajë të paprekur fuqinë blerëse të qytetarëve si promotori kryesor i rritjes ekonomike në vend. Por, pa dyshim që ky vendim i Qeverisë do të mbahet mend si i pari i një epoke të re, asaj të menazhimit të financave të shtetit, jashtë mbikqyrjes së rreptë të Ndërkombëtarëve, e në veçanti të FMN-së.
Këshillat e FMN-së
Fondi Monetar Ndërkombëtar bëri të ditur në raportin më të fundit se shkurtimet e shpenzimeve buxhetore me synim ruajtjen e inflacionit, pritet të prekin rritjen e shumëpremtuar të pagave dhe pensioneve, në gjysmën e dytë të këtij viti. "Buxheti aktual ka hapësirë për të rritur pagesat e ndihmës sociale, por nuk ka shumë hapësirë për të rritur pagat dhe pensionet në terma reale", deklaroi disa ditë më parë, Gerëin Bell, përfaqësuesi i Misionit të FMN-së. Rritja "në terma reale", nënkupton që pagat të rriten më shumë sesa inflacioni, gjë që nuk pritet të ndodhë këtë vit. Kjo sipas FMN-së do të thotë që pensionistët dhe buxhetorët mund të shpresojnë për një rritje të ardhurash prej jo më shumë se 5% këtë vit dhe se nga kjo rritje mund të përfitojnë vetëm "shtresat më në nevojë", sipas deklaratës së FMN-së.

Ky lajm është publikuar: 16/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›