E Diel, 1 Nëntor 2026

Realizihen mbi 30% të punimeve në ujsjellësin e ri të Vlorës

Punimet për zbatimin e projektit të ndërtimit të ujësjellësit të ri të qytetit të Vlorës, një investim i përbashkët i qeverisë shqiptare dhe asaj holandeze, me një vlerë prej rreth 26 milionë euro, po kryhen me ritëm të lartë. Burime zyrtare të firmës ALBSTAR, nënkontraktore e kompanisë holandeze “Royal Haskoning”, bënë të ditur se deri tani, është realizuar rreth 30 për qind e volumit të përgjithshëm të punimeve. Prej më shumë se tre muajsh puna është përqëndruar në akset kryesore, bulevardin Vlorë-Skelë, deri në hyrje të qytetit, territorin përreth Universitetit etj, ku kalon edhe magjistrali kryesor i ujësjellësit. Për këtë qëllim, të gjitha proceset kryhen me kujdes dhe nën monitorimin e specialistëve më të mirë. Synimi është që të gjitha punimet në këto rrugë, të përfundojnë deri në fillimin e sezonit turistik, për të mos krijuar probleme në trafikun e rënduar të automjeteve. Projekti i ndërtimit të ujësjellësit të ri, është investimi më i rëndësishëm në furnizimin me ujë të pijshëm të qytetit të Vlorës, në disa dekada. Me përfundimin e këtij investimi, do të rritet mbrojtja e burimeve të Ujit të Ftohtë, do të rehabilitohet sistemi i furnizimit më ujë dhe do të zgjerohet rrjeti i shpërndarjes. Përmes projektit, do të rehabilitohen stacionet e pompimit numër 4 dhe 6, si dhe dy depo uji me kapacitet të përgjithshëm prej 4650 metër kub, ndërkohë që do të ndërtohet stacioni i ri i pompimit numër 7 dhe një depo e re uji, me kapacitet prej 6000 metër kub. Nga ana tjetër, për lidhjen e stacioneve të pompave dhe depozitave të ujit, do të shtrohen 4.2 km tubacione çeliku të diametrave të mëdhenj, ndërkohë që për shpërndarjen e ujit në qytet, do të zëvendësohen linjat ekzistuese të amortizuara dhe do të ndërtohet një sistem i ri parësor dhe dytësor, me gjatësi 52 km. Projekti i rehabilitimit të ujësjellësit të Vlorës, që do të përfundojë në një hark kohor prej 2 vjetësh, do të garantojë furnizimin pa ndërprerje me ujë të pijshëm të banorëve. Sistemi ekzistues i ujësjellësit të qytetit të Vlorës, i ndërtuar në vitet ’30-’40-të të shekullit të kaluar, është mjaft i amortizuar dhe garanton furnizimin me ujë të pijshëm për vetëm 5-6 orë në ditë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›