E Shtunë, 31 Tetor 2026

Realizimi i buxhetit 2010, kalon me debate në Kuvend

Prezantimi i Buxhetit Faktik i vitit 2010 ka sjellë debate të ashpra pasditen e djeshme në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë dhe Financave mes mazhorancës dhe opozitës. Debati ka gjeneruar mes ministrit të Financave, Ridvan Bode, i cili ishte prezent në komision pikërisht për të prezantuar këtë buxhet, dhe deputetit të opozitës, Arben Ahmetaj. Akciza e cigareve dhe TVSH-ja kanë qenë pikat e nxehta që shërbyen si mollë sherri mes Bodes dhe Ahmetajt. “Nuk jemi në komisionin e Ekonomisë si Çiçi Govi për të treguar përralla. Nxorëm konkluzione për disa debate. Opozita këmbëngul për krizë. Ne nuk flasim me vlerësime, por me shifra. Këtë kontrollon buxheti i shtetit, janë të rakorduara me banka me qindarka. Nuk flasim me demagogji dhe patetizma, por me shifra. Shkurtimi i shpenzimeve është sfida e financave publike në botë. Kemi mbajtur në nivel prej 7% të PBB-së investimet publike”, - u shpreh ministri Bode i kundërshtuar nga Ahmetaj. “Nuk merr vesh ti, pyet Malajn”, - i tha ministri Bode deputetit socialist. Bode në të njëjtën kohë duke iu përgjigjur akuzave të opozitës për një buxhet tejet optimist, por që u ndërhy tri herë, u shpreh se “ 2010-ta shënoi deficitin buxhetor më të ulët historik, 3%. Tregoni edhe histori. Do të ndërhyjmë edhe 10 herë në buxhet derisa të arrijmë objektivat. Gjeni një vend në Europë që ka ulur borxhin me 1% të PBB-së”, - tha Bode. Ndërsa deputeti socialist, Ahmetaj iu kundërpërgjigj se, borxhi shqiptar është më i larti në rajon. “E kemi ulur në 60%, kur ti në kohën tënde e kishe 70%. Ndërsa TVSH-ja ishte 6.9% e PBB-së në kohën kur ti ishe drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve. Sot është 20%”, - tha ministri. Ndërkaq debati u ndez për akcizën e cigares dhe importin e kafesë. Ministri Bode akuzoi Ahmetajn për abuzim me 6000 ton kafe në kohën kur ai ishte drejtor, ndërsa ky i fundit i kërkoi llogari ministrit për rritjen e akcizës së cigares. “Akciza e cigares është rritur në fund të shtatorit 2010. Shqiptarët konsumojnë 400-4200 ton cigare dhe kaq zhdoganohet. Ne ju themi shiko hënën, ju shikoni gishtin tonë”, - tha ministri Bode. Për sa i përket ecurisë së të ardhurave, ministri bëri me dije se ka pasur probleme, jo dyjëzim për shkak të mosazhornimit të të dhënave në kohën e duhur, por sipas tij ato do të deklarohen në kohë reale on line së shpejti .Gjatë prezantimit të buxhetit faktik 2010, ministri Bode deklaroi se ky vit ka qenë vit i suksesshëm fiskal. Sipas tij, pavarësisht krizës dhe ndërhyrjeve në buxhet, PBB-ja u rrit me 4%, më e larta ndër vendet e rajonit. Për sa i përket ekonomisë reale dhe monetare, kushtet e tregut të punës janë përmirësuar. Niveli i papunësisë sipas të dhënave të buxhetit faktik në 2009-ën ishte 13,87, ndërsa në 2010-ën 13.5. Edhe qarkullimi i parasë në banka është rritur duke u zvogëluar ai jashtë bankave. Sipas të dhënave, paraja jashtë bankave në 2010-ën është ulur me 4.4%, ndërsa janë rritur depozitat me 11%. Kurse kreditimi i bizneseve është rritur me 13.4% dhe me 0.7% ai i individëve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›