E Diel, 1 Nëntor 2026

Çeku: Skema e pensioneve në rrezik, të përshpejtohet reforma

SHKRUAN: Sabina Veizaj 04-10-2011 13:55

Kreu i Lartë i Kontrollit të Shtetit, Robert Çeku i ka kërkuar qeverisë të merret seriozisht dhe në mënyrë emergjente me skemën e pensioneve, pasi ajo është tejet e vjetëruar. Çeku, prezent dje në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë dhe Financave për Buxhetin Faktik të vitit 2010, preku tri çështjet që kanë shqetësuar më shumë institucionin që ai drejton pas auditimeve përkatëse, përpos të ardhurave dhe shpenzimeve e termave të tjerë të buxhetit që hasin debate çdo vit. Stoku i borxhit të brendshëm dhe të jashtëm, skema e pensioneve dhe sigurimi i punonjësve me pagë minimale janë çështjet më shqetësuese, të cilat kanë sjellë efekte negative në buxhetin e shtetit për vitin 2010, dhe do të vazhdojnë të ndikojnë edhe në buxhetet pasardhëse. “Stoku i borxhit të brendshëm ka pasur rënie me 1.85% dhe stoku i borxhit të jashtëm ka pasur rritje me 15.1%. Për sa i përket sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, në shkallë vendi biznesi i madh deklaron dhe paguan sigurime për një raport shumë të vogël. Abuzimet në deklarime janë vërejtur në qytetet e mëdha; Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Ndërsa biznesi i vogël, që ka një xhiro prej 3 mln lekësh, deklaron dhe paguan sigurime në raportin 1.29 me 1 subjekt. Në këtë sektor është hasur abuzim edhe me deklarimin e pagave, pasi 18.6 % e kontribuesve sigurohen me pagë minimale. Kjo shifër po shkon 20 % dhe është shqetësuese”, – deklaroi Çeku. Sipas tij, duhet një marrëveshje mes Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Institutit të Sigurimeve. “Po bëhet një lojë ping-pongu. Nuk ka ende një marrëveshje konkrete, ka mbetur në nivel fjalësh. Kjo është një barrë e rëndë. Duhet një ligj i veçantë për të rregulluar këtë sistem. Duhen materializuar në praktikë masat”, – tha kreu i KLSH-së. Sipas tij, fakti që shteti alokon 7.3 mld lekë në këtë drejtim, tregon se kjo skemë është vjetëruar. “Është momenti që të merreni seriozisht me sistemin e pensioneve. Ministria e Financave ka kthyer përgjigje”, - tha ai. Ndërsa Ministri Bode, duke sqaruar çështjen e 18.6 % të punonjësve të deklaruar në sektorin privat që sigurohen me pagë minimale, e argumentoi me sektorin e manifakturës, i cili ka një numër të madh punonjësish dhe është pranuar që të sigurohen me pagë minimale, e cila është 200 mijë lekë të vjetra. Ndërkohë që Ministria e Financave ka lajmëruar nisjen e reformës për pensionet gjatë këtij muaji, duke nisur fillimisht me opinionet e grupeve të interesit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›