Parisi i Sarkozisë dhe Tirana e Ramës
Nga Zamir Gjurgji
Në mënyrë të paimagjinueshme, përgjatë muajit mars, fati i Parisit dhe i Tiranës duket të jetë i lidhur si me kordon kërthize të paprerë, kërthize gjatë marsit, dhe me pa durim presin "gërshërët" e 2 prillit për të (ri)lindur. Si nga Franca ashtu edhe nga Shqipëria, respektivisht Sarkozia nga Parisi dhe Berisha nga Tirana, do të udhëtojnë veçmas për të qenë bashkë këtej dhe andej lumit Ren, këtej Strasburgut dhe andej Kehlit, për të (ri)hyrë në zemër të NATO-s. Ky veprim ka tërbuar njëkohshëm si fabiusët francezë dhe gjinushët frankofilë - njëherazi natofobë - duke kutërbuar duhmë "Varshave" si në zemër të Parlamentit francez ashtu edhe në 'kraterin e Gërdecit'.
Ndërkohë që Kryeministri Berisha i lëshonte nga qyteti i ballokumeve një sinjal politik kryebashkiakut Rama se... "plani urbanistik nuk është pronë as e Edilit dhe as e Edvinit, por pronë edhe pasuri e qytetarëve të Tiranës"; Presidenti francez Sarkozi mori mbi vetë - të djeshmen e kësaj dite - përgjegjësinë për projektimin e Parisit të Madh, duke marrë në shqyrtim projektet e 10 ekipeve arkitektësh vendas e të huaj. Kësisoj, Parisin dhe Tiranën duket se fati i ka ripuqur edhe në hapësirë - planin urbanistik të kryeqytetit, edhe në kohë - muajin mars, por edhe në përcaktim - 'projekti parisien'.
Deri në këtë moment similituda e kryeqyteteve është thuajse e përsosur. Por prej këtej lind tjetërçka, si për të na thënë se diferenca mes dy personazheve që kanë marrë përsipër fatet e kryeqyteteve përkatës, është ekstremisht ndryshe, si edhe për të na bërë me dije se "të kalosh nga Parisi" për të projektuar metropolin dhe 'të kesh mentalitet parisien' në projektimin e megapolit, janë njëlloj si gazi karbonik dhe ajri, në oksigjenin e përbashkët. Më konkretisht:
Paris: Presidenti Sarkozi ia dedikon gjithë planin urbanistik të Parisit të Madh, duke shuar konfliktet mes banorëve të periferisë dhe qendrës, kryesisht me lokalitetin e emigrantëve në Klishi-su-Bua.
Tiranë: Kryebashkiaku Rama ia dedikon gjithë kohën e tij në dispozicion, krijimit të qendrës së qendrës së Tiranës (Unazës së Vogël), duke shtuar konfliktet mes banorëve të qendrës qytetare dhe të imigruarve të periferisë, kryesisht në Bathore.
Paris: Dhjetëra ekipe arkitekt-urbanistësh kanë marrë pjesë në projektin e Parisit të Madh, në një kohë pak më tepër se një vit.
Tiranë: Nga austriakët, te francezët e deri te zviceranët, plani urbanistik ka më se një dekadë që projektohet, më shumë se gjysmë viti që arkivohet, duke qëndruar ashtu i kyçur "çelës e dry" te zyra e kryebashkiakut.
Paris: "Rrugët e lundrueshme e ndotin më pak ambientin", është motoja e arkitektëve francezë që kanë projektuar Parisin e Madh.
Tiranë: Sipërfaqet e pakta ujore që ka kryeqyteti, do të rrethohen me një mori pallatesh dhjetërakatëshe dhe ku ndotja e ambientit do të marrë përmasa të mëdha, kur Liqenit Artificial të Tiranës t'i shtohen prurjet deri edhe mbi digë, nga kanalizimet e ujërave bardhezi. Ndërkohë që 'sa-zënët' nuk po i luajnë 'gurët' kryebashkiakut.
Paris: Arkitektët e Parisit fokusohen më shumë tek nevoja e balancimit të ndryshimeve sociale mes të varfërve dhe të pasurve, mes qendrës dhe periferisë.
Tiranë: 'Arkitektët' e Ramës fokusohen më shumë në pikësynimin e zhbalancimit të ndryshimeve sociale mes të varfërve dhe të pasurve, mes mjaftistëve të kamur dhe 'çeçenëve' në skamje (etiketim ky publik i kryebashkiakut për imigrantët shqiptarë të periferisë së Tiranës).
Paris: Arkitektët e Sarkozisë studiojnë të gjitha mënyrat se si të mbërrihet nga shtëpia në vendin e punës brenda 30 minutave, qofshin edhe banorë të periferisë së Parisit 8 milionësh.
Tiranë: 'Planovikët' e Ramës studiojnë të gjitha mënyrat se si të mos mbërrihet nga shtëpia në vendin e punës brenda 30 minutave. Le të na bindë kryetari i nderuar nëse është e mundur p.sh. që një banor te minibashkia e Pandit, të dalë nga shtëpia në 7:30 të mëngjesit e të mbërrijë në 8:00 te Ministria e Lulit? Pa folur për ditët me shi...
Paris: Arkitektët e Parisit të integruar 8 milionësh, e kanë konceptuar Parisin e Madh edhe si një vendparkim të bollshëm në mënyrë që të gjithë ata që janë banorë prej dhjetë vitesh në këtë qytet, të parkojnë në vendin e caktuar automjetin e tyre.
Tiranë: Arkitektët dhe kryebashkiaku 'parisien' kanë dezintegruar 800.000 banorë, duke mos u ofruar mundësi parkimi as banorit autokton kryeqytetas, që sot detyrohet të mbajë familjen vetëm me hapjen e një biznesi të vogël, dhe as imigrantit analist-mentar me pare që s'jua nxë xhepi, që kafe-xhinin e pin ku t'ia dojë kokrra e qejfit.
Paris: Arkitektët e Parisit të Madh kanë projektuar kopshte të gjelbëruara në sipërfaqet e pashfrytëzuara deri më tani, duke u ofruar relaks shpirtëror miliona banorëve me ambiente të gjelbëruara, madje edhe rreth e qark vendbanimeve të tyre.
Tiranë: Dizenjatorët e Tiranës së vogëlth s'kanë lënë vend për be për sipërfaqe të gjelbëruara, aq sa administratorit të pallatit tim i thyhen kërbishtet mëngjes e muzg, kur capit dheun dhe ujit sipërfaqet e gjelbra rreth pallatit tim 90 hyrjesh, e ku sipërfaqet e tilla janë nga 45cm x 85cm.
Paris: arkitektët e Parisit të Madh kanë vendosur t'i japin zgjidhje një prej problemeve kryesore të periferisë parisiene, duke projektuar stacione trenash në lokalitetin Obervije, për të gjithë trenat që vijnë prej Brukselit, Londrës dhe Frankfurtit, me qëllim që periferia të priret të lëvizë në mënyrë të lirë drejt qendrës.
Tiranë: Sfida e kryebashkiakut tiranas dhe arkitektëve që i shkojnë pas, ka piksnim të "shtrihet përtej zhvillimit fizik, ajo fokusohet në riekuilibrimin e interesave publike e private në procesin e zhvillimit urban, duke përshtatur këto role në kontekstin e një shoqërie të hapur e demokratike që bazohet në ekonominë e tregut të lirë".
Paris: Sfida e arkitektëve të Sarkozisë është se si të shndërrojnë - në një lloj 'Central Park' të rrethuar me rrokaqiej - parkun “Kornëv”, si një periferi e tërë.
Tiranë: Sfida e arkitektëve 'parisienë' të Ramës është se si ta shndërrojnë qendrën e qendrës së Tiranës në një vend me rrokaqiej të panumërt, dhe jo-qendrën me pallate 5-6-7-katëshe.
Paris: Vizioni i arkitektëve të Sarkozisë është i fokusuar në një drejtim të tillë, në mënyrë që kryeqyteti francez do të shtrihej deri në det.
Tiranë: 'Vizionarët' e Ramës dhe sozitë e tij, majtas djathtas, e kanë shtrirë kryeqytetin drejt Shishtufinës, Dajtit dhe me një afeksion të pashpjegueshëm deri më tash 'për nga Elbasani'.
Paris: Ndërkohë, Sarkozi ua ka kaluar projektin parisienëve, për t'u shqyrtuar nga po këta njerëz, që për mirë apo për keq, do të jenë vetë banorët e megapolit. Së paku publikisht nuk ka as edhe një leje të dhënë jashtë planit urbanistik.
Tiranë: Në Tiranë duket se plani urbanistik është ekskluzivitet vetëm i kryetarit për t'u shqyrtuar po nga njerëzit e afërt të tij, që për mirë apo për keq, do të jenë vetë përfituesit e metropolit. Te '7 liqenet e Lurës' vetëm koliben mund të shohësh, se me hy mrena, duhet me i thon rojes dymetrosh kur e gjen, se jom i Edit, se përndryshe puthu me Milon. Sakaq, është bërë publike dhënia e 30 lejeve 'për Novruz', jashtë miratimit të planit urbanistik.
Paris: Të gjitha rrugët të çojnë në qendër të Parisit.
Tiranë: Të gjitha rrugët të çojnë në rrugica, disa rrugica nuk të nxjerrin askund, pasi janë edhe qorre.
Paris: Transparencë, përshpejtim, barazi dhe përgjegjshmëri qytetarie.
Tiranë: Ryshfetllëk, avashllëk, pabarazi dhe papërgjegjshmëri qytetarie.
* * *
Projekti i Sarkozisë, fund konflikteve qendër-periferi
Dhjete ekipe arkitektësh dhe urbanistësh kanë marrë, qysh prej një viti më parë, një barrë të madhe mbi shpinë nga qeveria franceze: si të fantazojnë dhe të projektojnë të ardhmen e një qyteti prej tetë milionë banorësh, në të cilin përfshihet si qendra, 'Parisi i vogël' - siç e njeh tërë bota - ashtu si edhe një numër i madh lokalitetesh që e rrethojnë dhe ku aktualisht banojnë 6 milionë njerëz.
Sot për sot, Parisi dhe periferia e tij nuk përbëjnë dy anë të së njëjtës medalje: Transporti publik që lidh njërën pjesë është me tepri, por jo i koordinuar, terminalet janë ngjitur njëra-tjetrës dhe ka sa e sa qyteza pak kilometra larg nga kulla “Eifel” e ku kushtet për të jetuar janë jonormale. Në një prej këtyre pjesëve, Klishi-su-Bua, u ndez fitili i dhunës në vitin 2005, çka bëri që qindra të rinj të periferisë të digjnin makina në një revoltë të improvizuar në çast dhe pa një objektiv të qartë në mend. Izoluar nga realitetit, e zhytur në hallet e përditshmërisë dhe pa një fije shprese për të nesërmen, e ndërtuar pa asnjë plan urbanistik, Klishi-su-Bua shumëfishon ndarjen mes periferisë dhe qendrës së Parisit.
Integrimi, i periferisë dhe qendrës, e gjitha në një Paris të Madh, ka qenë sfida e 10 ekipeve profesioniste, përfshirë këtu arkitektë e urbanistë, por gjithashtu edhe specialistë të gjeodezisë, të demografisë, përfshirë këtu edhe sizmologë, që bënë publike më 12 mars projektet e tyre për qytetin e së ardhmes.
Më origjinali, pa dyshim që është projekti i Antuan Grumbahut, i cili pretendon të krijojë një aks ku të përfshijë Parisin, Ruanin dhe Havren. Në këtë mënyrë, kryeqyteti francez do të shtrihej deri në det. "Rrugët e lundrueshme e ndotin më pak ambientin" duket të jetë motoja ambicioze e arkitektit.
Britaniku Riçard Roxhers fokusohet më shumë tek nevoja e balancimit të ndryshimeve sociale mes të varfërve dhe të pasurve. Ky arkitekt e konceptuar Parisin e Madh më thjesht, si një vendparkim të bollshëm në mënyrë që të gjithë ata që janë banorë prej dhjetë vitesh në këtë qytet, të parkojnë në vendin e caktuar automjetin e tyre. Gjithashtu, ka projektuar kopshte të gjelbëruara në sipërfaqet e pashfrytëzuara deri më tani, duke iu ofruar relaks shpirtëror miliona banorëve me mjedise të gjelbëruara, madje edhe rreth e qark vendbanimeve të tyre.
Një tjetër arkitekt francez, Kristjan dë Portzampark, ka vendosur t'i japë zgjidhje një prej problemeve kryesore të periferisë parisiene, sipas shprehjes: “Të gjitha rrugët të shpien në qendër të Parisit”. E për këtë arsye, ai ka projektuar sa e sa stacione trenash në lokalitetin Obervije, në të cilin do të mbërrijnë të gjithë trenat që vijnë prej Brukselit, Londrës dhe Frankfurtit, me qëllim që periferia të priret të lëvizë në mënyrë të lirë drejt qendrës. Ekipi i këtyre arkitektëve propozon ngritjen e një metroje ajrore që të qarkojë paralel me periferiken (me rrugën automobilistike unazë të Parisit).
Ka edhe ide të tjera, se si të shndërrojnë - në një lloj 'Central Park' të rrethuar me rrokaqiej - parkun “Kornëv”, si një periferi e tërë ose ta ndajnë megapolin e së ardhmes në 10 qytete autonome me nga 500.000 banorë, prej nga ku, gjithkujt nuk do t'i nevojitet më shumë se 30 minuta për të lëvizur nga shtëpia në vendin e tij të punës.
Dhe pyetja që ngrenë parisienët është se çfarë do të ndodhë me këto projekte dhe a do të vihet në zbatim njeri prej tyre? Ministria e Kulturës i ka sqaruar me kohë parisienët se nuk bëhet fjalë për të organizuar konkursin e projektit fitues, për sa kohë do të jetë në kërkim të ideve sa më ambicioze, që më pas të merren në shqyrtim. Nga ana e tij, Nikola Sarkozi priti në zyrën e tij arkitektët, ndërkohë që projektet e tyre do t'u bëhen të njohura së shpejti vetë parisienëve për t'u shqyrtuar nga po këta njerëz, që për mirë apo për keq, do të jenë vetë banorët e megapolit.
Projekti i Ramës konflikton qendrën me periferinë
Objektivi kryesor i planit rregullues është përcaktimi i normave dhe rregullave për të lehtësuar dhe qartësuar marrëdhëniet investitorë-pronarë trualli. Synohet të qartësohet dhe roli i pushtetit lokal si moderator i këtyre marrëdhënieve dhe jo thjesht spektator inert i tyre.
Hartimi i planit rregullues do të bazohet në marrjen në konsideratë të mendimeve dhe sugjerimeve të grupeve të interesit, por qëllimi i tij kryesor është theksimi i rolit të elementeve publike.
Hartimi i planit do të fokusohet në krijimin e një instrumenti rregullator të thjeshtë, por efikas, i cili mund të aplikohet sa më shpejt të jetë e mundur dhe do të jetë i ndjeshëm ndaj zhvillimeve dhe përcaktimeve të mëtejshme. Prioritet do t’i jepet ndikimit praktik të instrumentit planifikues.
Tri çështjet kryesore ku do të fokusohet plani janë:
• Dinamika e rritjes urbane në kontekstin aktual socio-ekonomik paraqet një sfidë të paprecedent të përshtatjes të qytetit - dhe mbi të gjitha, infrastrukturës dhe sistemit të shërbimit - kundrejt nevojave të popullsisë, duke integruar rritjen aktuale dhe të vazhdueshme të saj brenda një sistemi urban efikas dhe të qëndrueshëm.
• Sfida shtrihet përtej zhvillimit fizik, ajo fokusohet në riekuilibrimin e interesave publike e private në procesin e zhvillimit urban duke përshtatur këto role në kontekstin e enjë shoqërie të hapur e demokratike që bazohet në ekonominë e tregut të lirë.
• Qëllimi kryesor është krijimi i një baze planifikimi të përshtatshëm urban, e cila do të integrojë funksione të ndryshme planifikimi të Tiranës, duke i orientuar dhe duke u dhënë karakter detyrues proceseve rregulluese.
Plani rregullues do të hedhë bazat e politikave urbane të zhvillimit të Tiranës, duke e trajtuar si pjesë të pashkëputur të rajonit ku ndodhet.