E Shtunë, 31 Tetor 2026

Realizohet transplanti i parë me sukses në QSUT

27/03/2009  Deri në fund të vitit do të përfitojnë 10 pacientë të tjerë, ndërhyrja e dytë në prill

Përfundon me sukses transplanti i parë i veshkës që realizohet nga mjekë shqiptarë me asistencë edhe të specialistëve italiane, pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Realizimi i ndërhyrjes që është zhvilluar pranë pavijonin të nefrologjisë te pacientja 19-vjeçare Matilda Gode ka zgjatur për më shumë se katër orë, por që ka përfunduar me sukses. Sipas mjekëve, kjo është ndërhyrja e parë kirurgjike e këtij lloji në Shqipëri dhe është shumë e mirëpritur nga dhjetëra pacientë që çdo vit preken nga sëmundjet e rënda të veshkave. Ndërhyrja e dytë do të zhvillohet gjatë muajit prill dhe është caktuar dhe pacientja e radhës vajza 21-vjeçare, e cila do të ketë si dhurues të saj njërin nga prindërit. Gjithashtu është vendosur që deri në mbyllje të vitit do të realizohen edhe 10 transplante të tjera, kryesisht tek ata pacientë që paraqesin komplikacione të rënda shëndetësore e që ndodhen në listat e pritjes. Transplanti i veshkave do të ofrohet falas për të gjithë pacientët dhe ndërhyrja kirurgjikale realizohet në kuadër të programit “Interreg-3”, financuar nga Komuniteti Evropian. Ekipi i mjekëve shqiptarë përbëhej nga 6 neurologë, 3 imunologë dhe 5 nefrologë dhe asistohet nga 3 mjekë italianë të klinikës së Barit (Itali). Transplanti i veshkave do të ofrohet falas për qytetarët dhe ndërhyrja kirurgjikale realizohet në kuadër të programit “Interreg-3”. Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” vlerëson finalizimin e këtij projekti si një arritje të rëndësishme dhe të nevojshme për mjekësinë shqiptare dhe një hap cilësor për përmirësimin e shërbimit dhe kujdesit ndaj pacientëve. Aktualisht situata e raportuar për sëmundjet e veshkave paraqitet e rëndë, pasi çdo ditë e më tepër shtohet numri i pacientëve që rezultojnë të prekur nga kjo kategori sëmundjesh. Pjesa dërrmuese e tyre detyrohen të trajtohen me shërbimin e dializës për të mbijetuar. Sëmundjet e veshkave janë të kushtueshme për buxhetin e qeverisë. Një i sëmurë që trajtohet me dializë i kushton buxhetit të shtetit të paktën 10-15 mijë euro në vit. Ndërkohë realizimi i transplanteve jo vetëm që do të reduktojë një gjë të tillë, por do të përmirësojë dukshëm jetesën e pacientëve që vuajnë nga veshkat.

Transplanti i parë

Realizohet me sukses për herë të parë transplanti i veshkave në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nga mjekë shqiptarë dhe ata italianë. Tashmë hapet udha e kryerjes së transplanteve tek të gjithë pacientët që janë në kushte të vështira jetese e që për vite të tëra u është dashur të mbijetojnë me shërbimin e dializës. Ekipet mjekësore të urologjisë dhe Nefrologjisë që morën pjesë në realizimin e kësaj ndërhyrjeje kanë pohuar gjatë ditës së djeshme se operacioni i radhës do të zhvillohet në muajin prill, për të cilin është përzgjedhur dhe pacienti. Ndërkohë gjatë gjithë vitit 10 persona të tjerë do të kenë mundësinë të përfitojnë transplnatin e veshkës, ndërhyrje e cila do të ofrohet falas për të gjithë këta pacientë, po ashtu edhe ndjekja e mëpasshme e gjendjes shëndetësore do të rimbursohet nga buxheti i shtetit si dhe nga financimi i projektit “Interreg-3”.

Realizimi

Pas realizimit me sukses të ndërhyrjes së parë pritet që transplanti i radhës të bëhet në muajin prill dhe ndërkohë është përzgjedhur dhe pacientja e radhës. Për realizimin e këtij projekti janë bërë përpjekje të vazhdueshme nga të gjithë aktorët e përfshirë për një periudhë kohore mbi 2-vjeçare, gjatë të cilës u investua në krijimin e infrastrukturës së nevojshme sipas standardeve bashkëkohore, duke përfshirë rikonstruksionin e sallave të operacionit dhe reanimacionit, pajisjen me aparatura dhe mjete të sofistikuara, si dhe kualifikimin e personelit mjekësor. Ndihmesë dhe mbështetje është dhënë edhe nga kompania farmaceutike “PharmaSwiss”, duke mundësuar ndjekjen sa më korrekte të pacientëve të transplantuar dhe mjekimin e tyre me këtë preparat shumë të rëndësishëm për ruajtjen e organit të transplantuar nga flakja.

Situata

Janë të shumtë pacientët që ndodhen në listat e pritjes për të bërë transplantin e veshkës, për shkak se shëndeti i tyre ka arritur në gjendjen më kritike të mundshme. Statistikat tregojnë se shumë prej të sëmurëve me kancer në veshka detyrohen të bëjnë operacion për të mbrojtur jetën e tyre. Përkundrejt kësaj situate vetëm pranë klinikës urologjike në QSUT rezultojnë të bëhen rreth 50 operacione në ditë. Ndërkohë bëhen rreth 2000 operacione në vit, nga më të thjeshtat deri tek ato më të ndërlikuarat për të gjitha kategoritë e pacientëve që manifestojnë gjendje të rënduar shëndetësore për shkak të kësaj sëmundjeje. Pjesa dërrmuese e pacientëve që paraqesin komplikacione të rënda për shkak të dëmtimit të organeve të veshkës janë detyruar që për një kohë të gjatë t’i nënshtrohen shërbimit të dializës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›