Zbulohet muri rrethues i shek. III para Krishtit
Në Parkun Arkeologjik të Orikut janë gjetur gjurmët e murit rrethues të qytetit. Këtë vit kur edhe nisën ekspeditat arkeologjike, synimi ishte të gjendej baza e hershme e qytetit. Pikërisht gjatë këtyre kërkime ata kanë hasur në një fragment muri, i cili i përket periudhës shekullit III para Krishtit, si edhe gjurmë më të vona, të cilat i përkasin periudhës së Justinianit. Gjatë kërkimit, arkeologët janë ndeshur në një material të pasur arkeologjik. Muri rrethues nuk është i vetmi. Ata kanë gjetur edhe amfora të cilat mendohet se i përkasin shekullit V-VI para Krishtit, të cilat mund të kenë shërbyer për transport vaji ose vere. Amforat e gjetura janë dëshmi i hershmërisë së qytetit antik të Orikut. Gonata Consagra pjesëtar i ekspeditës zvicerane që po kryen gërmime në Orik, shprehet se synimi i këtyre sondazheve është jo vetëm njohja më e mirë monumenteve të qytetit, por edhe krijimi i një kronologjie sa më të sakte për sitin. "Zbulim i murit, dhe të dhënat e përftuara prej tij me siguri do të shërbejnë që Parkut Arkeologjik të Orikut t‘i shtohet numri i vizitorëve", u shpreh drejtori i Parkut Arkeologjik, Gëzim Llojdia. Ekspedita e përbashkët zviceriano-shqiptare udhëhiqet nga drejtori shqiptar, Vasil Bereti, dhe drejtori zviceran, Jean Paul Descoeudres. Ajo është e përbërë nga një ekip prej 11 studiuesish dhe studentësh të Universitetit të Gjenevës, si dhe rreth 10 punonjës shqiptarë. Prej një muaji gërmimet filluan për të zbuluar detaje të reja mbi murin rrethues të qytetit antik. Ky është viti i dytë i punës i kësaj ekspedite në Orikum. Gërmadhat e qytetit antik të Orikut (Pashalimani i sotëm), gjenden në pjesën më jugore të gjirit të Vlorës dhe 42 km në jug të Apolonisë, në një skelë të futur brenda bregut mbi kodrën që mban emrin Paleokastër, e lartë 20 m mbi nivelin e detit. Vetëm për tre muajt e fundit, Parku Arkeologjik i Orikut është vizituar nga 1500 turistë të huaj.
Mi.Ma.
Mi.Ma.