Simbolet kulturore në traditën shqiptare
Në jetën e përditshme, njerëzit përfshihen në një "rrjet" ndërveprimesh shoqërore të shumëllojshme, të dukshme dhe të padukshme, të ndërlikuara e të vazhdueshme. Ndërveprime të tilla orientohen jo vetëm nga fjalët e folura e të shkruara, por edhe nga një fond i pasur simbolesh kulturore, nga linjat e komunikimit joverbal. Ky libër mëton të hedhë dritë në labirintet e komunikimit joverbal përmes parashtrimit të strukturave konceptuale, teoriko-sociologjike bashkëkohore, të përthyera e të konkretizuara me dukuri e prirje në shoqëritë dhe kulturat më ndikuese në botë. Sociologu Zyhdi Dervishi, edhe një herë ka marrë përsipër të studiojë dhe të përcjellë para lexuesit dukurinë shoqërore të sistemit të simboleve në një vëllim të titulluar "Lente të ndërveprimit simbolik". Duke qenë një nga sprovat e para për të skanuar veçoritë origjinale të komunikimit të shqiptarëve përmes simboleve kulturore, ky punim monografik është fryt i një pune shumëvjeçare kërkimore në rrafshin sociologjik, historik, psiko-etnografik, etj. Shoqëria tradicionale shqiptare funksiononte nën trysninë e tabuve të shumëllojshme dhe i atribuonte vlera të veçanta fjalëve të folura dhe sidomos fjalëve të këqija ose të hidhura, të cilat, sipas mendësive të shqiptarëve, "vrisnin më shumë se plumbi i pushkës dhe kordha", "helmonin lumenj dhe dete", "çanin shkëmbinj dhe tundnin male", etj. Me qëllim që të tejkalonin tabutë e shumëllojshme, veçanërisht ato që kishin të bënin me marrëdhëniet intime, me kundërqëndrimet ndaj diktaturave, me zgjidhjen e konflikteve për çështje të ndryshme etj. Për t‘u mbrojtur nga fuqia goditëse e fjalës së folur me "ngarkesë" negative ose fyese, shqiptarët në rrjedhën e shekujve e deri në ditët tona, kanë krijuar dhe zhvilluar një repertor të pasur e origjinal simbolesh kulturore, mekanizmash komunikimi joverbal: ciklon mesazhesh në filxhanin e kafesë, reflektim i disa statuseve reale dhe të ardhshme në veshjet e vajzave dhe të grave, spektër mesazhesh shumëvlerëshe të emetuara nga gota e rakisë dhe emri me përkatësi fetare tjetër, nga dhurimi i armës dhe gjethja në grykë të saj, nga këpucët e përmbysura të mikut-shenjt dhe nga lotët e gruas pranë bashkëshortit të ndjerë, nga sytë e shkruar dhe deri te "morsi" i prekjeve të shumëllojshme. "Lente të ndërveprimit simbolik" analizon edhe dinamikën e ndryshimit të simboleve kryesore të kulturës shqiptare, të mekanizmave të komunikimit joverbal nga shoqëria tradicionale deri në ditët tona. Sipas sociologut Dervishi, në ansamblin e pasur me më shumë se 1000 sisteme kulturore të gjalla dhe më të njohura të planetit tonë, kultura shqiptare ndoshta ka shkallën më të lartë të densitetit të subkulturave. "Është e vështirë të gjendet në botë një kulturë tjetër me shtrirje gjeografike kaq të kufizuar sa kultura shqiptare, e cila të ketë një numër shumë të madh subkulturash, të dallueshme qartë nga njëra tjetra", shkruan ai. Së paku që nga fundi i shekullit XVIII deri në fillim të shekullit XX, historianë, etnografë, udhëpërshkrues të huaj, anglezë, francezë, italianë të cilët kanë njohur nga afër shoqërinë shqiptare, kanë theksuar në motërzime të ndryshme idenë se kultura shqiptare është një konglomerat i vockël subkulturor. Interesante në këtë analizë të Zyhdi Dervishit është përshkrimi i statuseve, grupimeve të ndryshme në shoqërinë tradicionale shqiptare, veçanërisht te gratë. Statuset e tyre shpreheshin simbolikisht edhe në elemente të veshjes së tyre, të cilat ndryshonin nga një krahinë në tjetrën. Kështu ai përshkruan rastin e divorceve në shoqërinë paramoderne shqiptare, në një kohë kur ka qenë shumë i kufizuar. Sipas Kanunit të Lek Dukagjinit, burri e divorconte gruan pothuajse vetëm për tradhti bashkëshortore, për prerjen e mikut në besë dhe për branci, domethënë për vjedhje. Divorci konsiderohej fatkeqësi e madhe jo vetëm për gruan, por edhe për familjen e fisin e saj, pasi ata ndiheshin të turpëruar dhe në një farë mase të konfliktuar me ish-bashkëshortin dhe të afërmit e tij. Në shoqërinë tradicionale shqiptare, kësaj dukurie i kushtohej vëmendje e veçantë në evidentimin e grave me statusin e së divorcuarës. Simbolikisht një status i tillë në krahina të ndryshme të Shqipërisë shprehej me elemente të veçanta edhe në veshje. Për shembull, në krahinën e Mirditës, gruaja e divorcuar identifikohej qartë nëpërmjet prerjes së thakëve (tufëza leshi të dizenjuara bukur) te brezi i saj. Në krahinën e Malësisë së Vogël, gruan e divorcuar e shënonin me flokët e prerë dhe me thekët e prerë në njërin sup të jelekut, në Malësinë e Madhe statusi i gruas së divorcuar shprehej simbolikisht me prerjen e një tufe flokësh dhe me prerjen e brezit më dysh, ndërsa në Kosovë shenjë e gruas së divorcuar ishte prerja e flokëve ose prerja e përparëses. Tek arbëreshët e Italisë, simbolikisht divorci shfaqej në mënyrë më shprehëse, e cila nënkuptonte jo thjesht vetëm ndarjen përgjithmonë nga burri. Shenja e tyre ishte prerja në mes e një rripi e ku njëra pjesë i lihej në dorë burrit e tjetra gruas, si për të shprehur përgjegjësinë e përbashkët në ndarje. Jo rrallë herë, veshjet janë bërë objekt studimi i disa disiplinave shkencore. "Është e pamundur të veshësh rroba pa transmetuar sinjale shoqërore e kulturore", shkruan antropologu Desdemond Morris. Zyhdi Dervishi merr në analizë edhe përdorimin e stolive si reflektim i hierarkisë në shoqërinë tradicionale shqiptare. Sipas tij, në shoqërinë paramoderne shqiptare gjendja ekonomike e familjeve ekspozohej simbolikisht edhe nëpërmjet stolive që vinin nuset e reja. Unaza e vathët e florinjtë të zbukuruara me gurë të çmuar, bluzat e stolisura me fije ari të dendura dëshmonin se bashkëshorti i nuses së re ishte nga një familje e pasur ose thënë në gjuhën e popullit "derë e madhe". Monedhat e florinjta që i vareshin nuses në qafë ishin gjithashtu tregues i familjes ku ajo kishte shkuar. Një flori në gushë tregonte se familja kishte të ardhura modeste. Tri ose pesë monedha të florinjta reflektonin gjendje ekonomike të mirë, ndërsa gjerdanët me më shumë se pesë monedha dëshmonin simbolikisht familjet më të pasura të krahinës. E ndërkaq ashtu si edhe në çdo vend tjetër, sistemi i simboleve kulturore ka pësuar ndryshime, të cilat janë të dukshme në epokën moderne, veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore. Duke u fokusuar sërish në veshjet, profesor Dervishi thekson se në kulturën shqiptare, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, përkujdesi për një veshje cilësore konsiderohet si respekt për veten, për miqtë e shokët për të njohurit e deri edhe për të panjohurit. Tashmë në ditët tona, simbolika kulturore e veshjes së të rinjve shpreh në një masë të konsiderueshme hierarkinë shoqërore, ekonomike e profesionale që është formuar dhe po konsolidohet në procesin e zhvillimeve demokratike dhe të ekonomisë së tregut, që nga fillimi i viteve ‘90-të të shekullit XX e në vazhdim. Por simbolet kulturore reflektohen edhe nëpërmjet detajeve të tjera. "Lente të ndërveprimit simbolik" është i pasur me të dhëna, shembuj, kuriozitete nga e shkuara e shqiptarëve, por edhe të së tashmes që po jetojmë. Zyhdi Dervishi na thotë se në krahina të ndryshme të Shqipërisë, shumë simbole me përdorim subkulturor janë reflektim i zhvillimeve të veçanta historike të tyre. Sidomos në Shqipërinë e Mesme, ku ka pasur ndikim më të madh Principata e Kastriotëve, mjaft simbole përcaktohen nga zhvillimet politike, social-kulturore e luftarake të kryesuara nga Heroi Kombëtar, Skënderbeu. Sa kohë që Shqipëria ishte e pushtuar nga Perandoria Osmane, për popullsinë e Matit dhe të Kurbinit, ylberi, kjo dukuri natyrore simbolizonte shpatën e Skënderbeut që sillte motin e lirisë pas rrebeshit të luftës.
Një rol në ndryshimin dhe në evoluimin e simboleve kulturore sipas tij ka pasur edhe rritja e shkallës së qarkullimit të veprave të artit nga një shoqëri në tjetrën. Sipas tij, pjesë përbërëse e këtij procesi kompleks këmbimesh kulturore është përkthimi i shumë veprave filozofike dhe sidomos letrare më të arrira nga të gjitha gjuhët, ose së paku në shumicën e gjuhëve. Veprat artistike të gjinive të ndryshme si piktura, skulptura, krijimet muzikore, filmat etj., dhe sidomos veprat letrare të cilat nën ndikimin e faktorëve të ndryshëm përgjatë periudhës moderne kanë komunikuar me një masë më të madhe anëtarësh të kulturave të ndryshme, kanë përcjellë nga njëra kulturë në tjetrën një varg dukurish ose emra personazhesh, të cilët janë shndërruar në simbole me kuptime shoqërore komplekse.
Shoqëria tradicionale shqiptare funksiononte nën trysninë e tabuve të shumëllojshme dhe i atribuonte vlera të veçanta fjalëve të folura dhe sidomos fjalëve të këqija ose të hidhura, të cilat sipas mendësive të shqiptarëve "vrisnin më shumë se plumbi i pushkës"
Së paku, që nga fundi i shekullit XVIII deri në fillim të shekullit XX, historianë, etnografë, udhëpërshkrues të huaj, anglezë, francezë, italianë të cilët kanë njohur nga afër shoqërinë shqiptare kanë theksuar në motërzime të ndryshme idenë se kultura shqiptare është një konglomerat i vockël subkulturor.
Një rol në ndryshimin dhe në evoluimin e simboleve kulturore sipas tij ka pasur edhe rritja e shkallës së qarkullimit të veprave të artit nga një shoqëri në tjetrën. Sipas tij, pjesë përbërëse e këtij procesi kompleks këmbimesh kulturore është përkthimi i shumë veprave filozofike dhe sidomos letrare më të arrira nga të gjitha gjuhët, ose së paku në shumicën e gjuhëve. Veprat artistike të gjinive të ndryshme si piktura, skulptura, krijimet muzikore, filmat etj., dhe sidomos veprat letrare të cilat nën ndikimin e faktorëve të ndryshëm përgjatë periudhës moderne kanë komunikuar me një masë më të madhe anëtarësh të kulturave të ndryshme, kanë përcjellë nga njëra kulturë në tjetrën një varg dukurish ose emra personazhesh, të cilët janë shndërruar në simbole me kuptime shoqërore komplekse.
Shoqëria tradicionale shqiptare funksiononte nën trysninë e tabuve të shumëllojshme dhe i atribuonte vlera të veçanta fjalëve të folura dhe sidomos fjalëve të këqija ose të hidhura, të cilat sipas mendësive të shqiptarëve "vrisnin më shumë se plumbi i pushkës"
Së paku, që nga fundi i shekullit XVIII deri në fillim të shekullit XX, historianë, etnografë, udhëpërshkrues të huaj, anglezë, francezë, italianë të cilët kanë njohur nga afër shoqërinë shqiptare kanë theksuar në motërzime të ndryshme idenë se kultura shqiptare është një konglomerat i vockël subkulturor.