E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontroll në Berat, 20 pika shitje me rrezik nga gazi

 

Armand Bajrami

Zbulohen subjektet e tregtimit të gazit të lëngshëm dhe karburanteve të ndërtuara pranë zonave të populluara, që nuk zbatojnë normat teknike në Qarkun e Beratit. Rreziku potencial, që paraqet neglizhenca e zbatimit të parametrave të kërkuara në këto pika i kthen ato në një “minë me sahat” për jetën e banorëve që jetojnë pranë tyre. Masat ndaj këtyre pikave janë marrë pas një kontrolli të Inspektoriatit të Ministrisë së Ekonomisë, kontroll ky i kërkuar nga institucioni i Avokatit të Popullit. Pas ngjarjes së Gërdecit, Avokati i Popullit ka kërkuar nga vendorët e Beratit informacion të detajuar të të gjitha pikave të instalimeve, impianteve dhe stacioneve të tregtimit të naftës, gazit të lëngshëm dhe nënprodukteve të tyre. Pas sigurimit të këtij informacioni, Avokati i Popullit i ka rekomanduar Ministrisë së Ekonomisë  kontrollin dhe marrjen e masave të menjëhershme për garantimin e normave dhe kushteve teknike, të sigurisë dhe të mbrojtjes nga zjarri.
MASAT
Në përgjigjen e tij zyrtare për Avokatin e Popullit, Inspektoriatit Qendror Teknik i Ministrisë së Ekonomisë zbardh të gjitha pikat e rrezikshme në Qarkun e Beratit dhe masat e marra ndaj tyre. Bëhet e ditur se në përfundim të kontrolleve në territorin e Bashkisë së Beratit janë bllokuar 13 dyqane që mbushnin dhe shisnin bombola të gazit të lëngshëm. Ndërsa janë lënë plot 27 akt ndalesa për subjektet që nuk plotësojnë normat dhe kushtet teknike të sigurisë. “Nga këto akt ndalesa 7 janë për autogaze, 7 janë për impiante me GLN, që mbushin e shesin bombola, dhe 13 janë për dyqane që mbushin me transvazim dhe shesin bombola me GLN”, thuhej në përgjigjen e IQT-së. Gjithashtu aktndalesa janë lënë për një stacion karburanti në Kuçovë, që kishte instaluar autogaz pa leje; për dy stacione karburanti në Urë Vajgurore, që po ashtu kishin instaluar autogaze pa leje.
Në komunën Olltak në Berat kanë rezultuar 4 pika karburantesh pa dokumentacion përkatës. Aktndalesa të tjera janë lënë në 3 pika të shitjes së karburanteve në komunën e Perondisë në Kuçovë. Kohët e fundit me rekomandim të Avokatit të Popullit, Ministria e Ekonomisë ka bërë një studim edhe në Tiranë, ku janë vënë re depozita gazi dhe pika të tregtimit të karburanteve fare pranë qendrave të banuara dhe zonave me përqendrim të lartë të popullatës. Në të gjitha këto raste, rreziku konsiderohet shumë i lartë pasi edhe pasojat në rast ngjarjesh të papritura mund të jenë të mëdha, së pari në jetës njerëzore e më pas në dëme materiale. Në Tiranë, për një pjesë të mirë të subjekteve është konfirmuar se pika të tilla janë ndërtuar pranë qendrave të banuara me lejen përkatëse të autoriteteve të Bashkisë së kryeqytetit.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›