Rebusi i rikthimit të Nanos
Ditën e enjte në emisionin e Sokol Ballës, Fatos Nano rinovoi ofertën për president. Me gjuhë të rrumbullakosur ëmbëlsoi shumëkënd dhe sulmoi të vetmin njeri që nuk i prishte punë: presidentin në ikje Bamir Topi. U përpoq t’ju bënte qejfin të gjithëve, duke dëshmuar kulturën gjuhësore dhe diplomatike, paralelisht me mungesën e koherencës dhe parimeve. Ëndrra presidenciale e Nanos fillon që me hyrjen në politikë, kur trendi i historisë ishte kundër pasardhësve të komunistëve. Në ’97-ën nuk mundi pasi ndërkombëtarët kishin frikë nga përsëritja e fenomenit që iku me armë. Në 2001-in socialistët bënë akrobacira për të fituar 84 deputetë për krijimin e maxhorancës që lejonte Nanon të zgjidhej president por kundërshtimi i Berishës dhe sabotimi i Iliri Metës nuk ja mundësuan. Në 2007-ën shëmbëlleu se ishte më afër se kurrë ëndrrës. Me një rekuizitë presidenciale në Pallatin e Brigadave, i afroi Berishës zgjidhjen e nyjës ku ishte lidhur procesi parapërgatitor i zgjedhjeve lokale duke e detyruar Ramën të hynte pa garancitë e mjaftueshme. Të gjithë shqiptarët e morën mesazhin nëpërmjet kamerave: Nano që i jep dorën Berishës, i cili ishte në një nga performancat më të mira aktoriale dhe shfaqte nënshtrim dhe pranim të kushtit të nënkuptuar. Por siç ndodh gjithmonë në njëzet vjetët e fundit i zhgënjyeri nga paktet me Berishën mbetet bashkëbiseduesi. Karrigen e fitoi Bamir Topi me karrierë dhe personalitet më pak të spikatur. Tre presidentët e fundit shqiptarë vërtetojnë thënien se “fati është i verbër”. Periudha e qeverisjes së tij do mbahet mënd për gjithëpërfshirjen e aftësive profesionale në administrimin e vendit dhe pavarësisht akuzave që ju artikuluan në kohë, sot merr notë pozitive për përgjegjshmërinë në administrimin e shtetit dhe pasurisë kombëtare. Nëse perceptimi publik ishte për një jetë hedonistike të tij, makina shtetërore funksiononte dhe vendi filloi të konsiderohej partner serioz në marrëdhëniet me të huajt. I nivelit të barabartë në kulturën me ta, folës elokuent i gjuhëve të huaja, inteligjent në batutën politike, Fatos Nano ishte fytyra qytetare e Shqipërisë. Ndër defektet e mëdha të asaj kohe, ishte mungesa e propagandës për të shpallur arritjet që me të vërtetë ishin të admirueshme. Ndërkohë elita socialiste humbi kontaktin me realitetin, duke u dhjamur, dhjamë i cili nuk po i shkrin ende. Në zgjedhjet e vitit 2005, Fatos Nano i kishte të gjitha shanset dhe faktorët për fitore: Numrin e votuesve, të cilët pavarësisht teprimeve kishin më besim tek ai se opozita e atëhershme që qëndronte përballë; makinën e pushtetit, e cila favorizon gjithmonë mbajtësin e tij; arritjet në ngritjen e institucioneve ku ja doli të bënte një shtet të çlirët nga ankthi i raprezaljeve të spastrimeve militante dhe me kriter bazë atë profesional. I mungoi në arritjen e fitores përunjësia në sjelljen ndaj historisë dhe më e keqja se i ishte ngulitur mendimi nga i cili ende vuajnë socialistët se në ’97 ja kishin marrë ata pushtetin Berishës dhe mund t’ia merrnin rishtas kur të donin, pasi të lanin pak hesapet me njëri- tjetrin. Nano dhuroi diçka që nuk e kishte fituar vetë: Pushtetin. Bleu atë që Berisha nuk e kishte: Imunitetin ndaj burgimit. Në marrëveshjen e tij për dorëzimin e pushtetit nuk ekzistonte populli i majtë, i cili i dha gjithçka, por në 2005-ën e braktisi nën furinë e persekutimit të Berishës, përkundrejt pensionit të tij të artë.
Që nga ajo ditë i ka lejuar vetes sjellje që nuk i përshtaten ish kryetarit të së majtës. Sa herë Berisha është në vështirësi, Fatos Nano zbret në fushë për t’u dhënë goditjen e radhës ambicieve socialiste. Për shkak të inatit meskin me Ramën, ka goditur vazhdimisht aspiratën e tyre.
Nëse Berisha do ishte ai që duhet të ishte, nuk do qe çudi, që në rrugën e tij drejt tranzicionit të pushtetit ta konceptojë Nanon si një rast perfekt për president, pasi ka aureolën e ish liderit të së majtës, por edhe e ka ndihmuar më shumë se cilido individ në radhët e PD-së. Një Nano president, i garantonte me stil paprekshmërinë Berishës apo njerëzve rreth tij, ndaj përndjekjeve gjyqësore, aq më shumë të besueshme kur mbrojtja vjen nga një ish i burgosur i tij. Por Berisha është ai që është dhe e koncepton pushtetin një gjë serioze, që nuk përputhet me idetë e Nanos. Njeriu që kalbi në burg Ramiz Alinë dhe Nexhmije Hoxhën, njerëz që e kishin promovuar, dhënë bukë, dhe futur në shtëpi, nuk beson tek fjala e dhënë. Ndaj nëse për një kombinim të çuditshëm të rrethanave të fatit, Nano zgjidhet president, kjo nuk do jetë me dëshirën e Berishës. Më shumë se ndikuese në panoramën politike kandidatura e Nanos shikohet nga ai vetë si përpjekje për të realizuar një ëndërr; nga Berisha si kolorit i farsës që do sajojë për zgjedhjen e presidentit; nga e majta si makthi që rikthehet sa herë ata janë afër pushtetit. Fatos Nano ka qenë më paqësor dhe institucional se Sali Berisha; më karizmatik dhe kontribuues ndaj të majtës se Rexhep Mejdani; më sharmant dhe vizionar se Alfred Moisiu. Mosqenia e tij president është një dëshmi se shpesh historia nuk është e drejtë. Historia është lineare dhe e mërzitshme, ashtu si mendjet e varfra që e bëjnë atë. Të mençurit që spikasin shërbejnë për të vënë në pah mediokritetin e saj. Mos kandidimi i tij nga e majta është shembull se si një individ shkatërron me duart e veta sakrificën, kontributet dhe piedestalin e monumentit të tij tek njerëzit që udhëhoqi, për hir të meskiniteteve dhe vanitetit të jetës së përditshme. Për trashëgiminë që ka lënë në kulturën politike shqiptare, e meriton më shumë se kushdo presidencën. Për sa i shërben të ardhmes së vendit, është një e shkuar që vetëm fenomeni i asimetrizmit të zhvillimit historik të Shqipërisë mund ta rikthejë.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)