"Dërgova në Shënavlash Doklen, Taullajnë, Saliun dhe Gashin"
DËSHMITARI
Në procesin ndaj Bujar Gashit, Edmond Cuka tha se kishte dërguar atë dhe të tjerët në Shënavlash ku u vra Dritan Disha
TIRANË- Në procesin gjyqësor ndaj të pandehurit të "Bandës së Durrësit", Bujar Gashi, për të cilin dosja është veçuar, u dëgjua dëshmia e Edmond Cukës në rolin e "taksistit" të të akuzuarve të bandës. Ai tregoi se ishte faturuar nga të pandehurit e kësaj dosjeje për t'i dërguar në Shënavlash ku më pas kanë ekzekutuar Dritan Dishën. Për rreth dy orë, togat e zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda kanë dëgjuar dëshmitarin Cuka i njohur ndryshe edhe me shkurtesën "Çupja", i cili ka dëshmuar se në korrikun e vitit 2000 ishte faturuar nga Klodian Saliu për ta dërguar atë dhe tre shokët e tij nga lagjia Spitallë, në fshatin Shënavlash.
"Muajin nuk e mbaj mend, por, di që ka qenë verë ku unë punoja si taksist me furgon në linjën Durrës-Spitallë. Aty më ka kërkuar Klodian Saliu për ta dërguar diku. Kam shkuar në shtëpinë e tij në Spitallë, më ka paguar 10 mijë lekë të vjetra dhe më ka hedhur karburant në makinë, ndërsa më ka kërkuar ta dërgoja në Shënavlash. Kam shkuar pa u errësuar dhe në makinë hipën Klod Salihu, Bujar Gashi, Endrit Taullaj dhe Endrit Dokle. Ata kishin një çantë me vete, po nuk e di se çfarë ka pas brenda. Sapo është errësuar i kam dërguar në Shënavlash dhe nga aty jam larguar. Nuk e di pse kanë shkuar apo pse kanë qëndruar dhe çfarë kishin në çantë, thjesht më kanë faturuar si taksist i kam dërguar dhe jam larguar,"-ka thënë Cuka para togave të zeza.
Në sallën e gjyqit, përveç të pandehurit Gashi ishin të pranishëm edhe familjarët e të pandehurit që dëgjuan me vëmendje dëshminë e Cukës së thirrur nga organi i akuzës. Mësohet nga akuza, se atë ditë të pandehurit kanë ekzekutuar me armë zjarri Dritan Dishën, pasi njihej si miku i ngushtë i Erion Lames që mendohej se kishte vrarë kushëririn e Bujar Gashit e Klod Saliut, shtetasi Mehmet Saliu. Për këtë vrasje ka dëshmuar edhe i penduari i kësaj "bande" Adriatik Coli që ka konfirmuar se kjo vrasje është kryer nga të pandehurit Saliu, Gashi, Dokle e Taullaj të cilit i kishte transportuar pas vrasjes me makinë për në Durrës.